×
  • Lajme
  • Lajme

    IKSHPK thirrje qytetarëve: Omicron është tejet ngjitës, mbani maskat dhe distancën

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 14:36

    Pas paraqitjes së variantit të ri të virusit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe t’u shmangen grumbullimeve.

    IKSHPK-ja ka ftuar qytetarët që të respektojnë masat në fuqi, pasi siç thonë, situata epidmeiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një postimi në Facebook, IKSHPK ka shtuar se Omicron është tejet ngjitës, andaj maskat dhe distanca duhen respektuar.

    “Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19. Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!”, thuhet në postimin e tyre.

    Ata po ashtu kanë apeluar që të derret doza e tretë dhe ajo përforcuese anti-COVID. /Reporteri.net/

    Postimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë!

    Ju lutemi vaksinohuni!

    Nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) duke shtuar intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim.

    IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

    Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

    Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

    Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!

    Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare.

    Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj.

    Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

    Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen!

    Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen.
    Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin.

    Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!

    Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje:
    Mbulo gojën dhe hundën me maskë!

    Mbaj higjienën!

    Respekto distancën!

    VAKSINOHU!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!