Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se pas analizave të ujit të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina”, uji nga Liqeni i Badovcit tani është i sigurt për t’u përdorur për pije.
Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se vlerat e manganit kanë rënë dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 8-12 nëntor) tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes. Bazuar në këto rezultate, uji mund të përdoret edhe për pije”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja ka rekomanduar që KRU “Prishtina” të vazhdojë me mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit, duke siguruar që ai të ketë cilësinë dhe sasinë e nevojshme për konsum.
Po ashtu, IKSHPK-ja ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë periudhës kur uji nuk mund të përdorej për pije dhe u siguron ata se do të vazhdojë me monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit.
/Reporteri.net/.