×
  • Lajme
  • Lajme

    Iluzionet e së djathtës esktreme serbe për “kthim të Kosovës” zgjojnë reagime në Serbi

    Reporteri
    05 Tetor 2022 | 10:19

    Këtë të hëne e djathta ekstreme serbe doli me një të ashtuquajtur “plan” për “mbrojtjen e Kosovës” e cila bazohej në një premisë kryesore: “Ri-integrimin e plotë të Kosovës në rending kushtetues dhe ligjor të Serbisë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Një grupacion politik i së djathtës së skajshme si “Dveri”, “Zavetnik” dhe koalicioni “Nada”, bashkërisht me një numër intelektualësh nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU) “proklamuan” këtë plan. Prezent ishte edhe ish-kryediplomati serb, tani lider i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiç.

    Për këtë të ashtuquajtur plan kanë reaguar edhe kasta politike e Beogradit, si i drejtori i zyrës së vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, si dhe ministri serb i mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç.

    Një hartim të tillë të këtyre grupacioneve Petkoviç e quajti “dëshirë për të na futur në luftë”, ndërsa Stefanoviç e quajti “dëshirë për të rrëzuar nga pushteti Aleksandër Vuçiçin”.

    “Në serinë e lëvizjeve anti-serbe që Vuk Jeremiç ka bërë gjatë karrierës së tij, kjo kërcitja e fundit e armëve duke i thirrur njerëzit për gjakderdhje qëndron si indikator i paekuivok që opozita serbe as nuk mund të ngritet mbi interesat ditore politike për interesin shtetëror dhe as interesave të popullit serb në Kosovë”, ka thënë Petar Petkoviç në një reagim.

    Ndërkaq Stefanoviç këtë deklaratë e quajti të papërgjegjshme, dhe shtoi se opozita serbe e koncepton veten si organizatë jo-qeveritare dhe hartues peticionesh.

    “Turp personal i secilit prej juve individualisht dhe si grup që do ta mbronit Kosovës duke luajtur me bori të luftës, ku ju do të qëndronit në Beograd dhe të bënit vetëm atë që dini të  bëni, të shkruani deklarata dhe proklamime. Nuk është mbrojtje e Kosovës, është thjesht dëshira e kotë e juaj që të vendoseni në listën e njerëzve që i bëjnë presion Aleksandër Vuçiçit në ditë vendimtare për Serbinë, që t’ia shihni shpinën pas”, ka thënë Nebojsha Stefanoviç.

    Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, Matija Beçkoviç, në këtë të ashtuquajtur “proklamatë” ose “deklaratë” të paraqitur më 4 tetor tha se “e vetmja zgjidhje për Serbinë është ri-integrimi i plotë i territorit të Kosovës në rendin kushtetues dhe ligjor të Serbisë”.

    Profesoresha univeristare në Universitetin e Beogradit, Biljana Stojkoviç, e ka parë të tërën këtë si show politik dhe, siç e quajti ajo, “patriotizëm metafizik”.

    “Në çfarë mënyre, me çfarë magjie, mundet dikush që shqiptarët e Kosovës t’i detyrojë që përsëri të bëhen pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë? A qenka e mundur që një grup patriotësh nga Terazi po thërrasin për viktima të reja ofansive të reja? Politika serioze nuk ka të bëjë me dëshira dhe ëndrra”, është shprehur ajo për të përditshmen serbe “Danas”.

    “Shumë shpesh na kanë dëshmuar se në intepretimet e patriotizmit të tyre, njerëzit duhet të flijohen rreth një vizioni parajsor. Kjo duhet të na frikësojë sepse s’janë këto veprime pa pasoja. Nëse me të vërtet i doni njerëzit, nëse doni jetë të mirë, këso veprimesh imagjinare duhet të hiqen”, është shprehur mes tjerash ajo./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!