Edhe ateistët mund të shkojnë në xhenet. Shpjegimin e kësaj, hoxha Drilon Gashi e jep duke thënë se ka dy lloje ateistësh, ata që bëjnë keq dhe ata që nuk bëjnë.
Sipas tij, ateistë apo jo, “Zoti i arsyeton të gjithë në ditën e gjykimit”.
“Kemi dy lloje të ateistëve. Ateistët të cilët nuk e lëndojnë askënd tjetër, janë të mëshirshëm, nuk bëjnë krime, janë të moralshëm, e kërkojnë të vërtetën mirëpo besimi i tyre ka shkuar në ateizëm. Nëse kanë qenë të sinqertë me vetën e tyre, me ndërgjegjen e tyre, Zoti i arsyeton në ditën e gjykimit. Nuk e dënon askënd pa e dërguar argumentin”, ka thënë ai.
Tutje, Drilon Gashi, studiues i fesë islame, në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se Shteti Islamik mund të jetë gjithçka, pos islamit.
Ai theksoi se doktrina e tyre është e sajuar dhe fallco.
“Ata kanë pretenduar që krejt bota t’i përkasë doktrinës së tyre të sajuar dhe false. ISIS-i gjithçka mund të jetë, veç jo islam. Islam i Kuranit nuk është. Mund të jetë islam i ndonjë perandori që ka ekzistuar në të kaluarën”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka thënë se Kurani e kundërshton sakrifikimin e njëri-tjetrit.
“Vetë sakrifimin në emër të besimit, Kurani e kundërshton me rrënjë sepse Zoti na kujton rastin e Ibrahimit Alejkum Selam. Abrahami ka jetuar në mesin e një populli që ka qenë zakon dhe traditë që të sakrifikosh djalin e parë që të lind për idhullin e tyre dhe ai ka jetuar në këtë trashëgimi. Zoti ia dha djalin në pleqëri, ai u bë gati që ta sakrifikojë në altarin e sakrifikimit. Zoti po ia çon një ëndërr, një inspirim, se tek unë nuk mund të vish duke e derdhur gjakun e tjetrit dhe ia ka dërguar një dash dhe e ka pre kurbanin dhe prej atëherë kurbani. Kurani e ka kundërshtuar mendimin që ka ekzistuar që njerëzit të sakrifikojnë gjënë më të vlefshme të tyre për më të vlefshmin e tyre, e që është Zoti”, ka thënë ai. “Te unë nuk shkohet duke sakrifikuar njëri-tjetrin, ka thënë Zoti”.