×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Incidenti skandaloz në AIP, dy zyrtare të shtetit u rrahën mes vete për një burrë

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 15:52
    LAJMI I FUNDIT - REPORTERI

    Një histori tipike për skenar telenovelash spanjolle ka eskaluar në rrahje mes dy zyrtareve të shtetit, brenda një institucioni po ashtu shtetëror të Kosovës. Incidenti i dhunës fizike ka ndodhur dje paradite në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

    Gazeta online Reporteri.net merr vesh se dy zyrtare shtetërore janë rrahur dje mes vete. Dyshimet janë se gjithçka ndodhi për një burrë, që po ashtu sipas informacioneve është zyrtar shtetëror në një ministri tjetër.

    Gjithçka nisi kur njëra prej tyre, zyrtare e një Ministrie shkoi në vendin e punës së tjetër, në AIP, dhe e sulmoi atë fizikisht.

    Incidentin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, që rastin po e trajtojnë si “sulm ndaj personit zyrtar”.

    “Më datë 30.04.2025, rreth orës 10:15 është pranuar informata për një sulm fizik në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar palët e përfshira, dhe dyshimet janë ngritur se ngjarja ka rrjedhur si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme që palët kishin mes vete. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe hetimi vijon në procedurë të rregullt”, ka konfirmuar për gazetën Reporteri.net, zëdhënësi Agron Borovci.

    Gazeta Online Reporteri.net, të enjten, ka provuar të kontaktojë përmes telefoni me Drejtoreshën e Përgjithshme të AIP, Lumnije Demi, për ta konfirmuar rastin, mirëpo e njëjta s’është përgjigjur në thirrjen e mediumit.

    Mediumi ka dërguar pyetje edhe në adresë të AIP, që drejtohet nga Krenare Sogojeva Dërmaku, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje, duke pasur parasysh se dita e sotme është ditë pushimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!