×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim Qeverisë

    INDEP: Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat për pushtet

    Reporteri
    30 Tetor 2024 | 11:03

    Instituti për Politika Zhvillimore, ka reaguar pas njoftimit të ekzekutivit për rritjen e pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, raporton gazeta online Reporteri.net. 

    Në reagimin e tyre, thuhet se partitë politike në Kosovë po përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik, vetëm për qëllime elektorale.

    “Vendimi i fundit i Qeverisë për rritjen graduale të koeficientëve të pagave në sektorin publik dhe reagimet e ngjashme nga opozita janë shembull tjetër i kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht në kohën kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të reja. Në kohën e diskutimit dhe miratimit të Ligjit për Pagat, INDEP kishte argumentuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me vlerën e pagës minimale. Ky model jo vetëm që do të ofronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme, por edhe do të siguronte një lidhje të domosdoshme mes sektorit publik dhe atij privat”, thuhet në reagim e tyre.

    Madje sipas INDEP-it, rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik, përveç që shkakton ndasi ekonomike, por sipas tyre, një veprim i tillë ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit.

    “Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve. Praktikat e përsëritura të partive politike për të manipuluar me pagat publike gjatë cikleve zgjedhore janë precedent i dëmshëm që minon integritetin e politikave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, thuhet tutje në reagim.

    Ndër të tjerash, ky institut i ka bërë thirrje Qeverisë që rritjet e koeficientëve të pagave, të jenë produkt i një metodologjie të qartë, transparente dhe të parashikueshme.

    “Manovrat politike, që synojnë të shfrytëzojnë ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj kushteve ekonomike për përfitime elektorale, e largojnë fokusin nga politikat afatgjata dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës për qytetarët kërkon një qasje të përbashkët, ku interesi publik dhe mirëqenia ekonomike e të gjithë qytetarëve janë mbi interesat partiake”, thuhet mëtej.

    Sipas tyre, për një sistëm pagash më të drejtë dhe të qëndrushme, kanë bërë thirrje për harmonizimin e koeficientëve me pagën minimale dhe për një politikë që bazohet në ligjvënie gjithëpërfshirëse.

    “Larg premtimeve të brishta dhe politizimit elektoral”, thuhet në përfundim.

    Të martën, Kurti ka njoftuar se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

    Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

    Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2025 edhe për 0.5 njësi të tjera.

    Ai tha rritja e dytë e pagave për 55 euro të tjera do të bëhet edhe verën e ardhshme.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!