Prokuroria Themelore në Pejë është në përfundim të ngritjes së aktakuzës ndaj Aurona Pelajt, të dyshuarës për rastin në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Prokuroria Themelore në Pejë është në përfundim të ngritjes së aktakuzës ndaj të dyshuarve për rastin në fjalë”, është shprehur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Gjatë ditës së sotme u raportua se infermierja Aurona Pelaj, njëra nga të dyshuarat për rastin e sulmit ndaj të moshuarës në “Orenda”, ka ikur në Gjermani. Pelaj, bashkë me dy punonjëset tjera të “Orendës” të dyshuara në po të njëjtin rast, janë lënë në mbrojtje në liri nga Gjykata Supreme në fund të nëntorit të muajit të kaluar.
Nikçi tha se në momentin që Gjykata Supreme ka marrë vendim që të njëjtat të mbrohen në liri, e ka hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore që atyre t’iu vazhdohet masa e paraburgimit dhe në të njëjtën kohë i ka hedhur poshtë edhe mundësitë që të dyshuarat të arratisen nga shteti.
Nga ana tjetër, Avokati i Aurona Pelajt, ka hedhur poshtë pretendimet e avokatit të të moshuarës, se Pelaj mund të ketë ikur Gjermani.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, avokati Veton Berisha thotë se klientja e tij ndodhet në Kosovë dhe nuk ka asnjë arsye të largohet nga vendi.
“Lidhur me pretendimet e avokatit Meshar Selimaj se klientja ime Aurona Pelaj ka ikur në shtetin e Gjermanisë mund të deklaroj se nuk qëndron ngase ajo gjendet në Kosovë në shtëpinë e saj, nuk ka asnjë arsye që të largohet nga Kosova”, tha ai.
Flet avokati i Aurona Pelajt: Klientja ime ndodhet në Kosovë, nuk ka asnjë arsye të ikë nga vendi
Avokati: Aurona Pelaj mund të ketë ikur në Gjermani, hetimet s’janë kryer ende