Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një konferencë për media ka thënë se do të krijohet një Komision Hetimor për të hetuar keqpërdorimet e listave të veteranëve të luftës, shkruan Reporteri.net.
Veseli ka thënë se kjo iniciativë po ndërmirret për ta ruajtur emrin dhe reputacionin e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Shumica e komandantëve të luftës kanë folur dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre serioze për këtë çështje. Sot jam këtu për ta ruajtur emrin dhe reputacionin e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Njollosja e emrit të UÇK-së, e luftëtarëve të lirisë, shpesh për shkak të disave që synojnë përfitimet personale, na ka lënduar të gjithëve.Jo rrallë, janë fyer luftëtarët e lirisë. Për ne, qoftë abuzimi me statusin e luftëtarit të lirisë, qoftë fyerja, janë të rënda dhe zor të pranueshme. Zemërimi im, që buron nga përfshirja e mashtruesve në listat e veteranëve, të cilat janë bërë nga disa komandantë abuzues, është arsyeja pse më shtyn të flas dhe të veproj”, është shprehur ndër të tjera Veseli.
Ai ka thënë se do të verifikohet një për një dhe secili mashtrues do të hiqet nga listat. Ai ka siguruar se me këtë iniciativë nuk do të dëmtohet buxheti i Kosovës.
“Ky Komision, me punën e tij, do të sigurojë që Buxheti i Republikës së Kosovës nuk do të dëmtohet me dhjetëra miliona euro. Këto janë para të qytetarëve të Kosovës, të cilat nuk duhet të shpenzohen për mashtrues.Mos ta harrojmë edhe një fakt të dhimbshëm për luftëtarët veteranë.Nëse vazhdon dhe pranohet ky trend mashtrues, dëmi më i madh do t’u bëhet vetë veteranëve te UÇK-së. Sepse, me Ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet që shuma financiare për mbështetjen e veteranëve asnjëherë të mos e tejkalojë mbi 0.7% të BPV. Aktualisht, është tejkaluar për afër 35 milionë euro”, ka thënë ndër të tjera Veseli.