×
  • Lajme
  • Lajme

    Inspektorati Policor nis hetimet pas dënimit për puthje të çiftit në Prishtinë

    Reporteri
    02 Gusht 2021 | 16:18

    Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Ankesave, ka inicuar rast pas shqiptimit të gjobave me nga 450 euro, për çiftin që u zunë nga policët duke u puthur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë.


    Lajmin e ka konfirmuar IPK me anë të një përgjigjeje me shkrim, teksa thuhet se rasti është duke u trajtuar dhe analizuar nga Departamenti i Menaxhimit të Ankesave.

    “Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se pas publikimit të këtij lajmi, IPK respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Ankesave ka inicuar rast sipas detyrës zyrtare. Rasti në fjalë është duke u trajtuar dhe analizuar nga ky Departament”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Express.

    Një burrë dhe një grua janë gjobitur me nga 450 euro nga Policia e Kosovës, të mërkurën pak pas mesnatës kur ishin puthur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë. Ky dënim nxiti shumë reagime, e në media u raportua si skandaloz.

    Avokati i burrit të gjobitur, Edis Kuraja thotë se me veprimin e zyrtarëve policor janë shkelur të Drejtat e Njeriut dhe se Kosova nuk është në Lindjen e Mesme për sanksionimin e këtyre veprimeve.

    Ndërsa, drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se sjellja e çiftit mund të konsiderohet e pranueshme dhe normale në klube të natës, ku mosha e personave që i frekuentojnë është e moshës madhore.

    Miftaraj thotë se sjellja mund të konsiderohet e pahijshme nëse do të ndodhte në një vend publik, i cili frekuentohet nga fëmijët apo të miturit.

    Gjoba e shqiptuar është bazuar në Nenin 6 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike. Neni 6 i këtij ligji parasheh dënim me gjobë për sjelljet e pahijshme seksuale nga 100 deri në 700 euro, apo dënim më burgim prej 50 ditësh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!