Pa asnjë paralajmërim, as me shkrim e as në formë verbale, punëtorët e kompanisë së derivateve, ‘Shell Kosova’ kanë marrë pagë me zbritje. Edhe këtë pagë me zbritje, të muajit mars, ata e kanë marrë me disa ditë vonesë, tek para dy dite.
Kështu të paktën kanë thënë për Reporteri.net disa prej tyre, që kanë shkruar në adresë të gazetës, e disa edhe kanë folur para kamerës. Ata e akuzojnë kompaninë për mashtrim ndaj tyre.
Edhe sot madje, disa punëtorë të kësaj kompanie, në një pikë në Kodrën e Trimave në Prishtinë, kanë protestuar.
Ndërkohë, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka pyetur Inspektoratin e Punës për këto ankesa të shumta që kemi pranuar, dhe nëse të njëjtat kanë shkuar edhe në adresë të tyre.
Ushtrues i detyrës së Kryeinspektorit, Valon Leci ka thënë për Reporterin se kanë pranuar ankesë.
“Po e kemi këtë informatë, kemi edhe ankesë për këtë çështje dhe inspektorët e punës do të veprojnë konform legjislacionit në fuqi!”, ka thënë ai për Reporterin.
Për të njëjtën çështje, Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të “Shell Kosova”, por deri sot nuk ka pranuar një përgjigje.
Për ankesat e këtyre punëtorëve, ka raportuar Gazeta Online ‘Reporteri.net’, të enjten.
Punëtorët e Shell Kosova: Na janë zbritur pagat pa paralajmërim, dikush u pagua vetëm 40 Euro
Madje, disa punëtorë kanë treguar edhe para kamerës se si pa asnjë paralajmërim, kompania e derivateve ‘Shell Kosova’ u ka dhënë atyre pagë me zbritje.
Sipas tyre, edhe këtë pagë me zbritje, ata e kanë marrë me disa ditë vonesë. /Reporteri.net/.