×
  • Lajme
  • Lajme / Temperaturat e larta

    Inspektorati konstaton se kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë janë jashtë standardeve

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 21:14

    Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka inspektuar kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në objektin A dhe D, ku është konstatuar se kushtet janë jashtë standardit të lejuar me ligjet në fuqi. Inspektorati ka kërkuar që deri më 7 korrik të eliminohen parregullsitë e evidentuara.

    Kështu bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi” administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shaban Gërxhaliu.

    Inspektimi për kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimit, është bërë të hënën më 30 qershor.

    “Mund të ju konfirmoj se dje më datë 30.06.2025 Pallati i Drejtësisë, konkretisht Objekti A dhe D janë vizituar nga Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenjes Sociale. Të njëjtit kanë inspektuar kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimeve”, thuhet në përgjigjen e Gërxhaliut.

    Sipas Gërxhaliut, inspektimi është iniciuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Ky inspektim ka konstatuar se nuk plotësohen kushtet e punës në Pallat.

    “Sipas tyre inspektimi është inicuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Pas inspektimit, të njëjtit me procesverbal kanë konstatuar se në të gjitha hapësirat e inspektuara kushtet e punës del të jenë jashtë standardeve maksimale të lejuara sipas legjislacionit në fuqi”, shtoi Gërxhaliu.

    Andaj, bazuar në gjetjet e evidentuara në procesverbal, Inspektoriati ka kërkuar nga punëdhënësi që të eliminohen parregullsitë deri më 7 korrik 2025.

    “Lidhur me këtë, Inspektorët kanë dhënë afat për punëdhësin deri më 07.07.2025 për eliminimin e parregullsive të konstatuara në procesverbal”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

    Për këtë Inspektim, Gërxhaliu tha se ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    “Përkitazi me inspektimin janë njoftuar Këshilli Gjyqësorë i Kosovës si punëdhënës dhe Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjës për menaxhimin e objekteve të Pallatit të Drejtësisë”, thuhet në fund të përgjigjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!