Inspektoriati Policor ka arrestuar katër zyrtarë policorë si të dyshuar për përfshirje në incidentin e fundit në veri, përkatësisht në komunën e Zveçanit.
Në njoftim thuhet se zyrtarët u arrestuan orëve të mbrëmjes të martën, dhe se tre prej tyre dyshohen për veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” ndërsa i fundit për “vrasje në tentativë” dhe “mos lajmërim”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Paraprakisht, këta zyrtarë ishin suspenduar nga puna.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë” (lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Me vendim të Prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.
“Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të
zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e
Shtetit”, bën të ditur komunikata. /Reporteri.net/.