×
  • Lajme
  • Lajme

    Institucionet e Kosovës heshtin për investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe

    Reporteri
    19 Dhjetor 2021 | 12:40

    Qeveria e Serbisë me vite të tëra financon projekte në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por të gjitha projektet “e mëdha e të rëndësishme” realizohen në katër komunat veriore të ndërlidhura me territor – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Këtë gjendje dhe “disproporcion të investimeve” e thekson edhe Branimir Stojanoviq, i cili në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës në tetor garoi si kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, njërës prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit.

    Stojanoviq thotë se as investimet e Qeverisë së Kosovës në vendbanimet me shumicë serbe nuk ndahen barabartë, por as mjetet financiare nga fondet evropiane.

    “Shkak mund të jetë ndikimi politik, Lista Serbe, e cila dikur ishte më e balancuar sa i përket ndikimit të përfaqësuesve serbë në jug të Ibrit dhe përfaqësuesve në veri. Tani ekziston dominim absolut i njerëzve që vijnë nga veriu, andaj nuk habitem që këta njerëz punojnë më shumë për zonat e veta dhe vendet e prejardhjes”, vlerëson Stojanoviq, i cili ishte njëri prej themeluesve të Listës Serbe në vitin 2013.

    Ndërkohë, ai u largua nga partia Lista Serbe dhe njëra prej arsyeve pse në zgjedhjet e fundit lokale garoi si kandidat i pavarur ishte pikërisht “investimi i pabarabartë në mjediset e banuara me shumicë serbe”.

    Lista Serbe është njëra prej partive kryesore të serbëve të Kosovës, e cila përkrahet nga Beogradi zyrtar.

    Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, i cili vjen nga Mitrovica e Veriut, nuk ishte i qasshëm për deklaratë apo koment rreth “investimeve të pabarabarta” në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ndryshe, Rakiq ndodhet edhe në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurtin.

    Listës Serbe i takojnë që të dhjetë deputetët në Kuvendin e Kosovës në ulëset e rezervuara për komunitetin serb, por vetëm dy janë nga komunat në jug të Ibrit: Ljubinko Karaxhiq nga Graçanica dhe Branislav Nikoliq nga Shtërpca.

    Numri i saktë i qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë nuk dihet, sepse ata e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 nga Prishtina zyrtare, por sipas disa vlerësimeve të autoriteteve lokale, në komunat veriore jetojnë rreth 70 mijë qytetarë serbë.

    Po ashtu, bazuar në vlerësimet e autoriteteve lokale, po kaq qytetarë serbë jetojnë në gjashtë komunat tjera në jug të Ibrit – Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillugë dhe Partesh, si dhe në disa zona të të kthyerve në rajonin e Pejës.

    Komunat në veri të Kosovës, të cilat punojnë brenda sistemit të Kosovës janë formuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, derisa ato në jug të Ibrit u krijuan pas procesit të decentralizimit në vitin 2009 bazuar në Planin e Marti Ahtisaarit.

    Kosova, bazuar në këtë dokument, e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

    Punimet për rinovimin e Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, e cila punon sipas sistemit të Serbisë, zyrtarisht filluan më 23 nëntor.

    “Ky do të jetë një objekt bashkëkohor që do t’i përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve dhe kushtet e mjekimit nuk do të dallojnë nga ato në Nish, Kragujevc apo Beograd”, thotë Jelena Stojkoviq, ndihmëse e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila mori pjesë në nisjen e këtyre punimeve.

    Institucionet arsimore dhe ato të shëndetësisë në zonat e banuara me popullatë serbe në Kosovë funksionojnë të gjitha sipas sistemit të Serbisë.

    Kështu, më 20 gusht në Mitrovicën e Veriut u vu edhe guri themeltar për ndërtimin e objektit të “Universitetit të ri të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, ku mësimi vazhdon të zhvillohet sipas planprogramit të Serbisë.

    Ky universitet u zhvendos nga Prishtina pas luftës në Kosovë në vitin 1999.

    Siç është njoftuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, versioni i ri modern i objektit të Universitetit do të shtrihet në rreth 10,575 metra katrorë dhe në të brenda katër katesh do të vendosen: Fakulteti i Shkencave Matematikore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Rektorati. Vlera e këtij projekti, siç është njoftuar, do të jetë 6,122,190 euro (720 milionë dinarë serbë), ndërsa paratë nëpërmjet Zyrës për Kosovën i ka ndarë Qeveria e Serbisë.

    Këtu përfshihen edhe projektet milionëshe si “Lugina e Diellit” dhe “Banja e Parajsës” në Zveçan.

    Projekti “Lugina e Diellit” është vendbanim i ndërtuar për personat e komunitetit serb të zhvendosur nga Kosova, i cili ka kushtuar rreth 14 milionë euro. Në një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh janë në përfundim e sipër punimet për ndërtimin e rreth 300 njësive banesore.

    Po ashtu, shumë afër manastirit Banjska në Zveçan, ku ekzistojnë burimet e ujit termal dhe të sulfurit është ndërtuar qendra e re turistike e shëndetësore “Banja e Parajsës”. Qeveria e Serbisë në këtë projekt ka investuar rreth 2,551,896 milionë euro (300 milionë dinarë serbë)./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!