×
  • Lajme
  • Lajme

    Isa Mustafa e quan manipulim studimin që flet për rrëzimin e Kurtit

    Reporteri
    05 Dhjetor 2020 | 17:55

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se studimi për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, ku ai ‘akuzohet’ si prodhues i lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e Qeverisë Kurti, është manipulim.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka bërë të ditur se do t’u drejtohet partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane), që me sqarimet e nevojshme ta hedhin poshtë studimin të cilin ai e quan tendencioz dhe të motivuar idelogjikisht nga LDK-së, shkruan Reporteri.net.

    Mustafa ka thënë se LDK-ja i kishte dhënë shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.

    Megjithatë, sipas Mustafës, LDK-ja s’mund të duronte nëpërkëmbjen e saj.

    Në fund Mustafa ka thënë se pret që ky studim “do të përfundojë si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës”.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Të dashur miq,

    “Studimi” i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim !
    Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së !

    Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

    E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër.
    LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.
    Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të !
    Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.
    LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim.

    Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.

    Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës.
    I.M.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!