Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i ka komentuar gjatë deklaratat e Vjosa Osmanit për të, duke thënë vetëm se i lë “në edukatën e saj”.
Ndonëse kryeparlamentarja e ka quajtur ish-shefin “shërbëtor të bandave, mashtrues dhe humbës të shumfishtë, ai ka thënë se nuk i pëlqen të komentojë akuzat, e madje as ato që u konsideruan fyerje.
“Më vjen keq, por më duket e ulët të komentoj një gjuhë të tillë. Le të mbetet çështje e edukatës së saj”, ka deklaruar Mustafa për Express.
Mirëpo, kreu i LDK-së ka pyetur Osmanin se kë po e përfaqëson tani si kryeparlamentare, pas rënies së koalicionit të LDK’së me VV’në.
“Në vend të kësaj, Vjosa duhet ta qartësojë se kënd e përfaqëson si kryetare e Kuvendit, pas rënies së koalicionit LDK-VV. Çfarë legjitimiteti ka?”, ka thënë Mustafa tutje.
Mustafa sot nuk pranoi të flas gjatë për këto akuza, mirëpo vartësi i tij, Agim Veliu, nuk e la me pak. Ai theksoi se Vjosa Osmani po thotë të pavërteta.
“Ajo është çështje e kaluar tashmë, ai proces ka kaluar dhe dihet si ka kaluar. Por, ka kohë që Vjosa flet gjëra të pavërteta dhe nuk ia vlen të merremi me të për më tepër”, kishte thënë Veliu.
E gjithë përplasja në mes të Mustafës dhe Osmanit erdhi pas një interviste të kreut të LDK’së dhënë për Express, ku faji i humbjes hidhej mbi kandidaten për kryeministre.
“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ishin fjalët e Mustafës që acaruan Osmanin.
Ndryshe, Vjosa Osmani e Isa Mustafa relaksuan raportet gjatë zgjedhjeve brenda partisë, ku të dy morën çka deshën, por “kalaja” e ngritur shpejt u rrënua sapo humbën zgjedhjet.