Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për masakrën e Reçakut, i cili kishte thënë se është fabrikim dhe që nuk ka ndodhur në të vërtetë.
Hamiti ka shkruar në Facebook se presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë.
“S’kemi parë ende dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit ‘për liderin e madh Millosheviq’, që i bëri vitin e kaluar në Mitrovicë, apo mohimin që i bëri ky këto ditë dhjetori masakrës së Reçakut”, ka shkruar ai, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit
Presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë. S’kemi parë ende dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit ‘për liderin e madh Millosheviq’, që i bëri vitin e kaluar në Mitrovicë, apo mohimin që i bëri ky këto ditë dhjetori masakrës së Reçakut të janarit të vitit 1999, kur u vranë dhjetëra shqiptarë prej trupave të Qeverisë së Millosheviqit. Në kabinetin e luftës të Kasapit të Ballkanit bënin pjesë edhe Vuçiqi e Daçiqi, liderët aktualë të Serbisë.
Shpesh na bie të dëgjojmë lëvdata nga politikanë e diplomatë perëndimorë për liderin e ‘guximshëm’ Vuçiq, duke e parë si të reformuar e madje demokrat. Vetëm rrallë, pa ia përmendur emrin, rrotull, ndonjë kritikë të butë për të, si tue e marrë me të mirë kur shkallon me deklarata si këto që u përmendën.
I guximshëm është Vuçiqi kur mohon luftën gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa masakrat si ajo e Reçakut, gjerësisht e dëshmuar si e tillë në sistemin ndërkombëtar, i quan ‘fabrikime’. I gjithë establishmenti i Serbisë është i guximshëm në këtë pikë.
https://www.facebook.com/muhamet.hamiti.33/posts/10157890224029828