×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-bordi i shkarkuar i Postës paditë Qeverinë Kurti, kërkojnë t’ua kompensojë edhe pagat e humbura

    Reporteri
    20 Prill 2020 | 20:31

    6 ish-anëtarët e Bordit të Postës së Kosovës, të shkarkuar nga Qeveria në detyre e Albin Kurtit, kanë paditur sot ekzekutivin për vendimin e datës 2 prill 2020, që i zëvendësoi ata me një bord të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.


    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar padinë që është dorëzuar sot përmes postës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Përmes kësaj padie, ish kryesuesi i këtij bordi Halit Isufi dhe ish-anëtarët tjerë Hysen Fazliu, Rushan Ceka, Zelfije Pllana, Nuhi Provoliu dhe Ylber Zabërgja, pretendojnë se Qeveria e shkarkuar Kurti në vendimin për shkarkimin e tyre nga drejtimi i ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’ ka kryer shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative.

    “E paditura [Qeveria e Kosovës] nuk ka arritur të arsyetojë vendimin e saj, por ka vendosur në bazë të propozimit të ministres së MEPTINIS të dt. 26.02.2020,e kjo e fundit në tërësi ka paraqitur fakte të pavërteta lidhur me punën e bordit në fjalë, për të cilin kemi bindjen e plotë se një vendim i tillë është në tërësi vendim politik dhe kundërligjor”, thuhet në këtë padi.

    Aty, kërkohet anulimi i aktit administrativ për shkarkimin e ish-bordit të ‘Postës së Kosovës’ dhe kërkohet që Gjykata Themelore e Prishtinës të detyrë Qeverinë e Kosovës që ish-anëtarët e shkarkuar të kësaj ndërmarrje të kthehen në pozitat e tyre dhe të kompensohen për pagat e humbura nga dita e shkarkimit, shkruan Reporteri.net.

    Ndryshe, pas vendimit për shkarkimin e këtij bordi, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, në mbledhjen e 2 prillit 2020 ka marrë vendim për emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’.

    Anëtarët e ri të bordit janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!