×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-këshilltari i Limajt dënohet me 700 euro gjobë për mosdeklarim me kohë të pasurisë

    Reporteri
    07 Prill 2023 | 15:39

    Endrit Zabërgja, si ish-këshilltar i jashtëm politik i ish-zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, është dënuar më 700 euro gjobë për mosdeklarim me kohë të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Zabërgja u shpall të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, Zabërgja është dënuar me 4 muaj burgim dhe 200 euro gjobë, por me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim i është zëvendësuar me 500 euro gjobë.

    I njëjti është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 20 euro.

    Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 prill 2023, Zabërgja kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej barrë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 20 qershor 2022, Zabërgja në cilësinë e Zyrtarit të Lartë Publik, si ish-këshilltar i jashtëm politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafin 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtar.

    Siç thuhet në aktakuzë, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Zyrtarit Kontaktues pranë kësaj ministrie për të bërë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare në afatin një mujor nga marrja e detyrës, i njëjti i vetëdijshëm për pasojat e mos deklarimit të pasurisë, detyrën e këshilltarit në bazë të vendimit e ka marr më 19 qershor 2020, por se i njëjti nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në afatin një mujor siç parashihet me ligi.

    Me këtë, ai ngarkohej se ka kryer verën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 par. 2 të KPRK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!