Anëtari i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se sistemi aktual zgjedhor vetëm sa do t’i riciklojë njerëzit dhe se nuk sheh ndonjë ndryshim të madh.
“Zgjedhjet e tilla me këtë sistem zjgedjor do të rigjenerojnë prap të njëjtën krizë. Nuk i komentoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është vendim i stisur, dhe se nuk duhet të jetë praktikë amandamentimi i Kushtetutës përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, nëse vazhdohet me amandamentime të tilla të Kushtetutës nga Gjykata, një ditë nuk do ta njohim Kushtetutën tonë.
Ai tutje tha se ka pasur zgjidhje politike që të ketë stabilitet dhe të shkohet në zgjedhje të rregullta.
Berisha në “Imazh” është shprehur edhe kundër sistemit aktual që një votues të mund të votojë për pesë kandidatë në listën zgjedhore.
I pyetur se a do të jetë sërish kandidat për deputet në listën e PDK-së, Berisha tha se kjo është çështje e partisë, por se ai është i gatshëm t’i hyjë garës.
“Uniformën e ushtarakut e nuk e kisha ndërruar me asgjë në botë, përveç me pozitën e deputetit. Nëse me kërkojnë të jem kandidat, atëherë do të garojë, por edhe nëse me kërkojnë në secilën detyrë jam i gatshëm”, ka thënë Berisha.