Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, tash e 10 ditë po mbahet i ndaluar në Belgjikë, ku edhe jeton. Ai u arrestua të martën e javës së kaluar në shtetin që është në kufi me Holandën, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.
Por ndonëse kanë kaluar 10 ditë që nga arrestimi i tij, Pjetër Shala, po vazhdon të mbahet në Belgjikë, ku edhe jetonte para arrestimit, në pritje të ekstradimit për në Hagë.
“Arrestimi dhe transferimi i Pjetër Shalës bazohet në Ligjin Belg të vitit 2004 mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalet Penale Ndërkombëtare dhe jo në legjislacionin e zakonshëm për arrest dhe ekstradim. Nenet 86 dhe 87 janë të aplikueshme ndaj arrestimit dhe transferimit të personave, pavarësisht nacionalitetit të tyre. Procedurat janë duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë belge të Drejtësisë për Reporteri.net.
Kjo ministri nuk ka dhënë ndonjë informatë për gjendjen shëndetësore të Shalës ndonëse Reporteri.net është interesuar edhe për këtë çështje.
Ndërsa avokati i tij, Jean-Louis Gilissen ka thënë dje për një medium belg se Shala dyshohet se ka kryer krime midis viteve 1998 dhe 2000.
“Kjo është pikërisht një procedurë arrestimi me transferim. Ai dyshohet se ka kryer krime lufte midis vitit 1998 dhe 2000, ndërsa ishte shef i policisë ushtarake në një rajon të Kosovës”, ka thënë Jean-Louis Gilissen.
Shala, i cili gjatë viteve 1998-1999 kishte shërbyer në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë, akuzohet për krime lufte. Aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Speciales.
Ndërkaq informacione për Shalën nuk ka dhënë Gjykata Speciale.
“Në aktualisht nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informatë shtesë nga ajo që është publikuar në komunikatën për shtyp më 16 mars 2021”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale, shkruan Reporteri.net.
Në komunikatën e përmendur nga Specialja thuhet se Pjetër Shala është arrestuar në Belgjikë, në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas Speciales Shala do të mbahet në shtetin belg në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së.
“Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhej në kumtesë.
Kush është Pjetër Shala?
Pas vrasjes së familjes Jashari në Drenicë në fillim të marsit 1998, Shala u kthye në Kosovë nga Shqipëria me një grup prej 20 deri në 30 burra të armatosur. Ata mbërritën të parët në Jabllanicë ku u bashkuan me njësinë lokale të UÇK-së.
Ramush Haradinaj kishte urdhëruar që Pjetër Shala të transferohej nga Jabllanica në Dujakë në fillim të korrikut 1998.
Pjeter Shala, i cili punonte si kontraktor ndërtesash pas luftës, e kishte fituar shtetësinë belge në vitin 2003 pasi u njoh si refugjat politik. Ai ishte vendosur në qytetin belg të Visés. Shala ishte pjesë e proceseve gjyqësore nëpër gjykata të ndryshme, përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, gjatë viteve 2005, 2008 dhe 2018.
Komandant Ujku dyshohet për ndalim arbitrar dhe trajtim çnjerëzor e degradues.
Avokati i Shalës mund të kërkojë lirimin e tij me kusht që ai të paraqitet vullnetarisht në Hagë.