×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-përfaqësuesi i BE-së për Kosovën: Nuk jam optimist për planin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve

    Reporteri
    15 Shkurt 2023 | 8:29

    Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.

    Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    “Ajo çfarë më shqetëson është se të dyja palët e paraqesin këtë si diçka të imponuar nga jashtë, nga BE-ja, nga SHBA-ja. Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë. Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen dhe kjo e zvogëlon optimizmin tim”, tha Lehne.

    Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i shkurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.

    “Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.

    Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

    “Varet tërësisht nga mënyra se si zbatohet. Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet.

    Në vitet e fundit nuk e kam përcjellë shumë afër për t’ju thënë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, është diçka që Kosova duhet ta sjellë në tryezë. Pa lëvizur në këtë drejtim, i gjithë procesi do të bllokohet”, tha Lehne./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!