Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor pritet të jetë pasardhës i Miroslav Lajçakut në pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Gazeta sllovene “Delo” ka raportuar të martën se Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë është duke ndihmuar në lobim me qëllim që Pahor të emërohet në pozitën e të dërguarit special të BE-së për dialogun.
Ministria e udhëhequr nga ish-partiakja e tij, Tanja Fajon, është duke u bërë gati që të Pahorin ta propozojë si pasardhës të diplomatit sllovak, Lajçak, thotë raportimi.
“Ministria e Punëve të Jashtme vlerësoi se Pahor është kandidat i përshtatshëm për këtë pozitë të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, i cili konsiderohet si zonë strategjike e Sllovenisë. Për këtë arsye, rrjeti diplomatik slloven vendosi se do ta ndihmonte ish-presidentin në kandidaturën e tij. Vlerësimet jozyrtare janë se Pahor është kandidat i përshtatshëm që i plotëson kushtet për këtë pozitë”, shkruan gazeta sllovene “Delo’.
Sipas gazetës, është Pahor, ai i cili duhet të bëjë kërkesë personale në Shërbimin Evropian për Çështjet e Jashtme, shkruan Reporteri.net.
“Delo” shkruan se një pjesë të lobimit për Pahorin është duke e kryer komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor. Në këtë komitet janë të angazhuar ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ish-kryeministri suedez Carl Bildt, ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-presidenti serb Boris Tadiq.
“Kujtojmë se Borut Pahor si kryetar i atëhershëm i SD-së vendosi Tanja Fajon si mbajtëse të biletës së SD-së për zgjedhjet europiane të vitit 2009, me gjithë kundërshtimet e shumta brenda partisë”, shkruan “Delo”.
Lajçakut i përfundon mandati në muajin gusht.