Berat Dakaj, ish-student i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, e ka bërë një denoncim publik se disa profesorë kanë krijuar lidhje dashurie me studente.
Ka shkruar se të njëjtit kanë krijuar raporte intime dhe pastaj të njëjtat i kanë lënë në rrugë në gjendje të rëndë psikike.
Ish-studenti i Letërsisë Berat Dakaj këtë denoncim e ka bërë duke mos përmendur emrat e profesorëve dhunues.
“Disa profesorë, krejtësisht qenefa, prej thoit të gishtave e deri në majën më të lartë të flokëve, fakultetin ku kanë punuar, ndër vite, e kanë konsideruar pronë të vetën, si banesën. Kanë krijuar lidhje dashurie me studente të vetat brenda fakultetit”, ka shkruar Dakaj në Facebook.
Pavarësisht se s’ka përmendur emra, Dakaj ka thënë se disa prej profesorëve dhunues kanë shkruar libra mbi aventurat seksuale me studente.
“Kanë shkuar për t’u dhënë dije, po të njëjtave u kanë dhënë edhe… (sa kanë pasur takat e njohuri dhe moral) edhe në ambiente të fakultetit dhe po të njëjtat i kanë lënë pas pak muajve në rrugë, me gjendje të rënduar psikike. Pastaj, aventurat seksuale me to i kanë bërë aventura letrare. Tpshurrsha letërsinë (prej katit të dytë), edhe dashurinë për to, profesor!”, ka shkruar Dakaj.
Para disa vitesh kishte nisur një iniciativë për t’i denoncuar të gjithë profesorët që kishin keqpërdorur seksualisht studentet.
Një pjesë e tyre janë denoncuar në Polici e Prokurori. Për një pjesë të tyre ka pasur procedurë disiplinore në UP dhe për disa të tjerë janë duke vazhduar hetimet e organeve të ndjekjes pse kanë ngacmuar studentet dhe i kanë ftuar nëpër motele e hotele.