×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-zyrtari i Pentagonit: Aktakuza ndaj Thaçit do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    25 Qershor 2020 | 8:10

    Ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ndikojë në dialogun e planifikuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se dyshon se dialogu mund të rifilloj.

    “Kjo është një aktakuzë shumë serioze dhe pres që do të ketë ndikim në dialog për faktin e thjeshtë se presidenti Thaçi e ka udhëhequr atë për shumë vite. Unë dyshoj se pas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dialogu mund të rifillojë përmes imponimeve të ndryshme. Richard Grenell (i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë) ka vendosur raportet e tij me presidentin Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka deklaruar ai.

    Carpenter më tej ka kritikuar administratën Trump, për siç thotë ndjekjen e procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi ndaras nga BE.

    “Mendoj se është vërtet fatkeqësi që Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit, Donald Trump, po përpiqen të ndjekin një proces të ndarë nga BE-ja. Zgjidhja e konflikteve dhe promovimi i marrëveshjeve politike në Ballkan gjithmonë ka pasur sukses kur SHBA-ja dhe BE-ja e kanë udhëhequr bashkërisht procesin.  Është fatkeqësi që administrata e Trumpit ka vendosur, që jo vetëm të shtyjë përpara një proces të vetin, por edhe të përjashtojë BE-në dhe zyrtarët e lartë të saj, përfshirë shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Unë e shoh këtë si një qasje të gabuar të strategjisë së kësaj administrate, sepse në tre vitet e fundit vazhdimisht e ka denigruar Bashkimin Evropian. Për paqen dhe pajtimin në Ballkan duhet të ketë një projekt të përbashkët SHBA-BE”, ka dekaruar ai.

    Më tej ka pohuar se shpreson që vitin e ardhshëm të ketë një administratë të re amerikane.

    “Unë shpresoj se vitin e ardhshëm, do të kemi një administratë të re amerikane dhe në këtë mënyrë SHBA-ja dhe BE-ja do të rivendosin vizionin e përbashkët strategjik për atë se çfarë duan të arrijnë në Ballkanin Perëndimor dhe që, së bashku të udhëheqin me procesin e arritjes së një marrëveshjeje pajtimi.

    Carpenter më tej ka thënë se Thaçi, Veseli dhe të tjerët janë të pafajshëm deri në momentin që shpallen fajtorë për akuzat.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!