Kunati i 42-vjeçares që u vra dje në Vushtrri ka folur sot rreth ngjarjes tragjike, ku ka treguar se i dyshuari për vrasje, që më pas qëlloi edhe veten, e kishte kërcënuar vëllain e tij.
Ai tha se e ndjera ka punuar në furrën e dorasit për tetë vite, teksa tregoi se i njëjti disa herë e kishte larguar nga puna. Sipas tij, edhe motivi i vrasjes lidhet me punën, shkruan Reporteri.net.
“Ka punu aty tetë vite, ka punu në furrën “Diellza”. E ka ndërprerë dy-tri herë punën aty. I ka largu prej pune, tash së mrami herë i ka kërku prapë me u kthy në punë. Tri herë e ka largu, e së katërti herë kjo s’ka pranu me shku ma në punë. Edhe unë jam hy ndërmjetësues për me kthy në punë po nuk ka deshtë…nuk muj tha ma me hy edhe u mbetë me qëkaq. Tani kunata u hi në tjetër gjelltore me punu edhe ai me siguri e ka ba atë se ka pas kumedit naj xhelozi…ka ardh pse po punon aty edhe qaty ka ndodhë. Veç për qata ka qenë se s’ka pas tjetër absolut”, ka thënë ai për Veriu.info.
Ai tha se vëllai i tij, bashkëshorti i të ndjerës, u ka rrëfyer mbrëmë se si i dyshuari për vrasje i kishte thënë “ishalla nuk zatetem”.
“Vëllau na ka tregu mbramë se i paska thanë ishalla nuk zatetem, pra vllaut i ka thanë, burrit të ndjerës. Ky e ka majt msheftë e s’na ka tregu”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, 42-vjeçarja me inicialet N.H, është vrarë dje në një nënkalim në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. I dyshuar për vrasjen është një 58-vjeçar me inicialet A.M, i cili më pas ka qëlluar edhe veten. Sipas raportimeve të mediave, dorasi është pranari i një furre buke, ku e ndjera kishte punuar më parë.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.
“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Nga kjo prokurori kanë thënë se po intervistojnë dëshmitarë lidhur me rastin dhe se po hetojnë të gjitha rrethanat që kanë çuar tek kjo ngjarje tragjike.
“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria./Reporteri.net