×
  • Lajme
  • Lajme

    Ishin kapur edhe më herët me heroinë – Kush janë Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, biznesmenët që u arrestuan në operacionin e madh anti-drogë?

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 16:58

    Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, dy pronarë të firmës “Tada Group Sh.P.K”, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës në një operacion të gjerë me qëllim të goditjes së trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.

    Tigani dhe Vizdik u arrestuan të martën në një operacion anti-droge të njohur si “Qielli i Thyer”. Përveç tyre, u arrestuan edhe 20 persona të tjerë, në operacionin që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, shkruan Insajderi.

    Veprat penale Tigani, Vizdik dhe 20 të tjerë dyshohet se u kryen përmes “SkyECC”.

    “Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 29 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme”, njoftoi prokuroria.

    “Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast”, vijon njoftimi.

    Por, kush janë Tigani dhe Vizdik?

    Tigani dhe Vizdik dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal, i cili ka qenë nën vëzhgim prej kohësh nga njësitë e antidrogës.

    Pronarët e firmës “Tada Group” janë emër i njohur për drejtësinë. Ata ishin arrestuar më 2022-ën, meqë ishin kapur me drogë të llojit heroinë prej 83 kilogramës

    Heroina që u kap ishte e fshehur në pajisje për ndriçim të ndara në 160 paketime, për çka edhe e mori rasti emrin “Reflektori”.

    Droga e kapur kishte destinacion qytetin e Prishtinës.

    Lorik Tiganit i gjendej edhe një armë e tipit “Magnum” me pesë fishekë. Teksa Onur Vizdikut policia ia kishte konfiskuar një pistoletë të llojit “Walther”.

    Lorik Tigani është edhe dhëndri i dizajneres së famshme nga Peja, Linda Imami. Bashkë me Tiganin, për drogën në Han të Elezit ishte i dyshuar edhe bashkëshorti i dizajneres, Mentor Imami, i cili gjendej në arrati.

    Që të dy figurojnë pronarë të firmës “Tada Group SHPK” me bazë në Prishtinë. Lorik Tigani paraqitet si pronar i 10 për qind të aksioneve të firmës, ndërkaq Onur Vizdik 90%.

    Aktiviteti i biznesit të tyre është restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit, furnizime me ushqim me porosi me raste, tregtia me shumicë e artikujve ushqimorë, e me pakicë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!