×
  • Lajme
  • Lajme

    Ismaili: 20 vjet pas luftës, djemtë tanë të lirisë po kthehen për ta mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës

    Reporteri
    10 Nëntor 2020 | 13:23

    Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar pas arrestimeve të ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ismaili ka thënë se sot 20 vjet pas luftës, djemtë tanë të lirisë po kthehen për ta mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, transmeton Reporteri.net.

    Ai po ashtu tregoi se ditën kur Veseli udhëtoi për në Hagë, pas përshëndetjes me familjen e tij, kishte shkuar edhe në selinë e PDK-së për t’u përshëndetur edhe me bashkëpartiakët që po i linte pas.

    “Në ditën që udhëtoi për në Hagë, pas përshëndetjes me familjen, Kryetari Veseli erdhi në zyrat e PDK-së që të përshëndetet edhe me ne. I buzëqeshur, si gjithëmonë, na dha kurajo. Ishte kokëlartë e i vendosur, sikur atëherë kur si një djalë i ri la studimet për t’i rrokur armët kundër Serbisë dhe regjimit gjenocidal të Millosheviqit.”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

    Tutje ai ka shtuar se Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Sali Mustafa me krenari do të rikonfirmojnë se lufta e tyre për liri ishte e drejtë.

    Ndryshe, Thaçi, Veseli dhe Selimi, të enjten, janë dërguar në Hagë pas konfirmit të aktakuzës ndaj tyre.

    Gjatë së enjtes, përmes një komunikate për media, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se është konfirmuar aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020, si dhe se është publikuar aktakuza e redaktuar.

    Sipas komunikatës, në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

    Pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës, ndërsa Kadri Veseli ka njoftuar se është tërhequr nga të gjitha aktivitetet publike e politike.

    Postimi i plotë i Ismailit:

    Pas goditjeve të rënda që morëm, ishte jashtëzakonisht e vështirë të shkruaja për zhvillimet e këtyre ditëve. Por, krenaria – ndjenja që frymëzoi grupin e çlirimtarëve në rrugën e lirisë – është më e fortë se gjithçka tjetër.

    Në ditën që udhëtoi për në Hagë, pas përshëndetjes me familjen, Kryetari Veseli erdhi në zyrat e PDK-së që të përshëndetet edhe me ne. I buzëqeshur, si gjithëmonë, na dha kurajo. Ishte kokëlartë e i vendosur, sikur atëherë kur si një djalë i ri la studimet për t’i rrokur armët kundër Serbisë dhe regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

    Një jetë të tërë me qëllime të qarta, ideale të larta dhe plot kuptim. Një rrugëtim i vështirë, por për të mision i domosdoshëm, për përmbushjen e amanetit të mijëra shqiptarëve të vrarë për liri.

    Kadri Veseli ishte një djalë i ri kur nisi luftën, por ëndërra për liri ishte e vjetër me shekuj. Kjo ëndërr shekullore i dha fuqi që së bashku me Hashim Thaçin e shumë shokë të tjerë të themelojnë forcën ushtarake më të suksesshme në historinë e Kosovës – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Të gjithë që kemi pasur fatin të bashkëpunojmë dhe t’i mbështesim Hashim Thaçin e Kadri Veselin në rrugëtimin e tyre politik, në shpalljen e pavarësisë, në forcimin e shtetit dhe krijimin e ushtrisë, sot ndihemi krenarë dhe të fortë përballë kësaj beteje. Krenarë që drejtuesit e UÇK-së jetësuan amanetin e dëshmorëve për liri dhe pavarësi.

    Sot, 20 vjet pas luftës, djemtë tanë të lirisë po kthehen për ta mbrojtur edhe një herë luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Kjo tregon për sfidat e mëdha që i kemi si shtet dhe si komb. Tentimi për ta njollosur projektin madhështor dhe historik të çlirimit të Kosovës është tentim për ta njollosur vuajtjen tonë kolektive si shqiptarë. A mund të paramendohen Isa Boletini e Hasan Prishtina në një gjyq që gjykon përpjekjet e tyre për liri?

    Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës së popullit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, fatkeqsisht beteja për shtetin dhe historinë tonë ende nuk ka përfunduar. Në këtë betejë të re na takon të gjithëve që ta mbrojmë historinë dhe ta forcojmë të ardhmen. Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Sali Mustafa me krenari do të rikonfirmojnë se lufta e tyre për liri ishte e drejtë. Populli i Kosovës me krenari do të tregojë që liria ka emër dhe se UÇK është emri i saj.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!