Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rekomanduar edhe zyrtarisht emrat për deputetë të cilët do të zëvendësojnë deputetët që u bën ministra.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas KQZ-së në Kuvend do të rikthehet Ismet Beqiri, i cili do të zëvendësojë Arban Abrashin, i cili është emëruar Ministër i Infrastrukturës, në Qeverinë Hoti.
Po nga LDK, Visar Hoti e Faton Bislimi do të zëvendësojnë deputetët e deritashëm që morën poste në Qeveri, Driton Selmanajn, që u emërua zv.kryeministër dhe Armend Zemajn, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq, nga radhët e Nismës Socialdemokrate, në vend të Albulena Balaj – Halimajt që u emërua zv.kryeministre, do të jetë deputetja Arbëreshë Krasniqi.
KQZ-ja në mbledhje e sotme ka çregjistruar edhe katër parti politike.
Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), Lëvizja për Drejtësi (LD), Samostalna Liberalna Stranka (SLS) dhe Evropska Stranka Demokratske Akcije (ESDAK) janë katër partitë politike të cilat u çregjistruan.
Në mbledhjen e këtij institucioni u bë e ditur se arsyeja për çregjistrimin e këtyre partive politike ka të bëjë me faktin se asnjëra prej tyre nuk ka dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit të partisë, si një obligim ligjor. /Reporteri.net/.