Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi De Maio, ka thënë se duhet një angazhim i ri për të kapërcyer çështjet politike ende të hapura dhe që vazhdojnë të pengojnë rajonin.
Ai këtu ka përmendur edhe Italinë si një vend që krenarisht identifikohet me pakica dhe se mënyra se si i trajton ato mund të jetë edhe shembull për Kosovën, përfshirë edhe rastet kur iu jepet autonomi lokale disa prej tyre, njofton Klan Kosova.
“Angazhimi i shtetit italian për mbrojtjen e tyre është maksimal dhe përkthehet në raste specifike edhe në njohjen e autonomisë lokale për territoret ku ato ndodhen. Prania e modeleve të shumta në Itali dhe Europë mund të jetë një burim frymëzimi për Kosovën në përputhje me parimet e vendosura nga Kushtetua e saj”.
Por, De Maio ishte i prerë se shtetësia e Kosovës s’duhet të cenohet në asnjë formë nga negociatat me Beogradin.
“Kosova s’ka nevojë për t’u frikësuar nga dialogu. Pavarësia e Kosovës, dua ta them qartë kryeministër dhe deputetë, nuk është në diskutim. As integriteti territorial i saj dhe as funksionaliteti i saj si shtet i bazuar në respektimin e të drejtave themelore”.
Ai ka thënë se për të arritur deri te kjo duhet një vizion politik dhe forcë për të ndërmarrë veprime konkrete pajtimi.
“Mbështetja për pajtimin rajonal është thelbësore për të lënë përfundimisht tragjeditë e së kaluarës pas nesh dhe për të parë së bashku një të ardhme që bashkohet me aspiratën e përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”.
Kryediplomati italian gjithashtu hapi temën e të pagjeturve nga lufta e fundit.
“Mbi të gjitha identifikimi i personave të pagjetur gjatë konflikteve të mëparshme dhe kthimi i mbetjeve te familjet e tyre është një domosdoshmëri morale dhe një akt urgjent për t’u rikthyer dinjitetin të gjitha viktimave”.
Në fund të fjalimit të tij para Kuvendit të Kosovës, De Maio tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një mundësi me rëndësi historike që të dy palët duhet ta shfrytëzojnë atë.