Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se i ka kërkuar Presidentes të Republikës së Kosovës Vjosa Osmanit, dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas Këshillit Prokurorial, presidentja duhet ta dekretoj Isufajn në këtë pozitë, pasi sipas tyre, janë shtjerrur të gjitha rrugët ligjore të cilat kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.
“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Ndër të tjera, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend, prandaj KPK-ja thekson se shtetit dhe institucionit tonë i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, si nga organizatat në Kosovë, po ashtu edhe nga Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.
Presidentja Osmani deri më tani ende nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të prokurorit Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit./Reporteri/