×
  • Lajme
  • Lajme

    Jashari: Çdo shtyrje e vitit të ri shkollor do të sjellë probleme

    Reporteri
    10 Shtator 2021 | 17:14

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse viti i ri shkollor do të nis më 13 shtator, ditë e hënë.


    Jasharaj në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se Qeveria duhet të merr vendimet me kohë, duke shtuar se mësimdhënësit dhe prindërit duhet të jenë të përgatitur nëse procesi mësimor do të fillojë të hënën.

    Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se në takimet e fundit që kanë pasur me MASHTI-n dhe drejtoritë e drejtorive arsimor, janë dakorduar që fillimi i vitit të ri shkollor të nis më 13 shtator.

    “Nëse bazohemi në takimet e fundit që kemi pasur me MASHT, ku ishte edhe ministrja Arbërie Nagavci, dhe gjithë drejtorët e drejtorive arsimore, përfaqësuesit e prindërve dhe unë si përfaqësues i SBASHK-ut, bashkë me stafin tjetër tonin, atje të gjithë janë deklaruar se janë të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor, duke e përmendur datën që është zyrtare 13 shtator, mirëpo nuk ishte takim ku do të merrej një vendim i prerë. Ajo që e kemi parë në media nga deklaratat e ministres Nagvaci lë të kuptohet se do të ketë shtyrje të reja, ngase thuhet se masat do të vazhdojnë”, theksoi ai.

    Jasharaj tha se do të jetë problem nëse shtyhet viti i ri shkollor.

    “Ky do të jetë problem shtesë nëse shtyhet mësimi, ngase pyetja e parë bie se si do të zëvendësohen gjithë këto ditë, ngase sot Qeveria do të dalë me një vendim të prerë, unë po e them atë që e kam obligim, punëtorët e arsimit jo vetëm tani por edhe para 1 shtatori kanë shprehur gatishmërinë të ia nisin mësimin”, pohoi ai.

    Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, Jasharaj bëri të ditur se mbi 90 % e punëtorëve arsimor tashmë janë vaksinuar.

    “Apeli ynë për vaksinim ka dhënë rezultate, nga një numër shumë i vogël prej 7 mijë e 200 para 1 muaj e sa, tashmë kemi mbi 90 % të vaksinuar. Më 13 shator nëse fillon procesi mësimor sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve nuk do të ketë probleme. Dua të kritikoj Qeverinë, sepse duhet të dalin në kohë dhe të tregojnë vendimet e prera, në mënyrë që edhe mësimdhënësit edhe fëmijët të jenë të përgatitur”, deklaroi ai.

    Duke folur për situatën e krijuar, Jasharaj tha se nëse kalohet në mësimin online, mësimdhënësit duhet të kenë kohë të përgatiten.

    “Nëse kalojnë në mësimin online, atëherë mësimdhënësit duhet të kenë afat dy tri ditë të përgatiten, sepse shumica nuk kanë laptopë, po ashtu edhe prindërit duhet të përgatiten. Ky vit shkollor është më i vështiri nga të gjithë, pasi vitin e kaluar i ka prekur të moshuarit, kurse tani është i pamëshirshëm edhe për fëmijët edhe moshat e reja. Ky është një problem shtesë, dhe unë uroj që ata që janë deklaruar se janë të gatshëm të filloj procesi mësimor, të kenë përgatitjen e duhur”, theksoi ai.

    Gjatë bisedës, Jasharaj tha se janë të gatshëm edhe nëse kalohet në mësimin online, por që gjithçka varet nga IKSHPK dhe Qeveria.

    “Sot duhet të merret vendimi, dhe jo në momentin e fundit. Sa na përket neve, ne jemi për fillimin e vitit të ri shkollor, jemi të gatshëm jemi të vaksinuar, por e tëra i mbetet Qeverisë”, tha mes tjerash ai.

    Jasharaj tha se në këtë kohë të pandemisë, Qeveria duhet të bëjë zgjidhjen më të mirë.

    “Këto dy vite ishin të vështira për ne, çdo shtyrje do të na krijojë probleme pastaj, sepse duhet zëvendësuar ditët e humbura, por qeveria duhet të bëjë zgjidhje, dhe nuk duhet të zgjas viti deri në korrik. Ndoshta do të ishte më mirë që pushimi pranveror të mos mbahet. Covidi po cakton rregulla që nuk na pëlqejnë, edhe prindërit edhe ne duhet t’i ruajmë fëmijët. Viti i ri shkollor është për fëmijë, Qeveria duhet të zgjedh mënyrën më të mirë që dija te shkojë të ta pa u dëmtuar shëndeti i tyre”, potencoi ai.

    Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në takim që ka pasur me kryetarët e komunave ka propozuar që fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet deri më 26 shtator.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!