Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka dorëzuar vizën historike të fundit turistike që e lëshon ambasada gjermane në Prishtinë.
Kjo ndodhi vetëm disa ditë para liberalizimit të vizave të qytetarëve nga Kosova.
Nga ana e tij, Rohde tha se e ka mbajtur premtimin që e ka dhënë rreth liberalizimit të vizave të kosovarëve.
Personi që e pranoi këtë vizë ishte Bujar Rrustemi nga Vushtrria i cili tha se ndihet i lumtur për këtë rast dhe se do të shkojë në Gjermani për vizitë te familjarët.
Ai njëherit falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen ndaj Kosovës.
Celebrating a historic milestone! Just handed the last regular Schengen visa to a Kosovar citizen🇽🇰. Thrilled that this era is finally closing, marking the way for well-deserved visa liberalization in less than two weeks! 🇪🇺🌍 Bringing home & diaspora much closer together 🇩🇪🤝🇽🇰 pic.twitter.com/RqNmVA2Df1
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) December 18, 2023
Ambasadori gjerman theksoi se liberalizimi i vizave “nuk është për punë”.
“Liberalizimi i vizave do të thotë se kjo është për viza turistike, nuk është për punë. Asgjë nuk ndryshon”, tha ai.
“Mund të udhëtoni në Gjermani, të qëndroni 90 ditë nga 180 ditë, por nuk është vizë pune”, shpjegoi ambasadori.
Rohde ka përmendur Kampionatin Europian të futbollit që vitin e ardhshëm zhvillohet në Gjermani, ndërsa ka shtuar se dëshiron të shohë “sa më shumë kosovarë që ta ndjekin këtë ngjarje”. Për këtë tha se është shumë i lumtur.
“Ne duam që njerëzit të udhëtojnë me familjet e tyre, të shijojnë Gjermaninë ose vendet e tjera europiane”, tha ai.
Rohde tha se sa i përket liberalizimit të vizave, duhet përqendruar te “mesazhi kryesor”.
“Është për udhëtime dhe takime më të lehta me njerëzit”, tha ai. “Dhe kjo është gjëja kryesore”, shtoi ambasadori.