×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Kundër dënimit në Hagë

    “Jo në emrin tim”, nata e dhjetë e protestës në Prishtinë, nis iniciativa që në çdo shtëpi të vendoset flamuri i UÇK-së

    Reporteri
    25 Shtator 2026 | 21:39

    Për të dhjetën natë me radhë, qytetarët janë mbledhur të premten mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën “Jo në emrin tim”, për të kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Protestuesit kanë shprehur mbështetjen për UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj, ndërsa tubimet po vazhdojnë çdo mbrëmje që nga 16 shtatori, dita kur u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka nisur edhe një iniciativë të re, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vendosin flamurin e UÇK-së në shtëpitë e tyre, si shenjë mbështetjeje.

    Protestës së sontme në Prishtinë i është bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila gjatë ditës ka organizuar protesta në qytete të ndryshme të Kosovës kundër dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Protestat në kryeqytet kanë vazhduar gjatë dhjetë ditëve të fundit, me pjesëmarrjen e qytetarëve, veteranëve, artistëve dhe familjarëve të ish-drejtuesve të UÇK-së.

    Haziri ka paralajmëruar vazhdimin e protestave deri më 1 tetor, kur platforma “Liria ka Emër” pritet të organizojë një marsh të madh.

    Protestat nisën më 16 shtator, pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale, e cila dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

    Shpallja e aktgjykimit u pasua me protesta në Prishtinë, përfshirë tubime para Qeverisë dhe objektit të EULEX-it. Gjatë ditës së parë pati edhe përplasje mes disa protestuesve dhe policisë, ndërsa tubimet e mëvonshme të organizuara nën moton “Jo në emrin tim” janë zhvilluar në mënyrë paqësore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!