Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e Paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit Arben Krasniqi dhe një personi tjetër me iniciale SH.K nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me para.2.nën parag.2.1 dhe 2.2 e në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar kreu i Prizrenit, Mytaher Hasakuka, i cili ka folur ekskluzivisht për Krasniqin, duke thënë se nuk e di cilat janë arsyet pse është ndërmarrë një masë e tillë ndaj Krasniqit, shkruan Reporteri.net.
Ai thotë se Krasniqi është një zyrtar i cili ka bashkëpunuar me hetuesin dhe çdo ditë ka rreth 5 deri 8 raste të përfaqësimit ligjor nëpër seanca gjyqësore, andaj thotë se masa prej 30 ditësh paraburgim është masë e cila e bën atë të mendoj, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Haskukës:
Kur në janar të vitit 2018 kemi marrë qeverisjen komunale, njëra nga problemet e shumta që kemi trashëguar ishin paditë ndaj Komunës në gjykata dhe përfaqësimi ligjor i Komunës.
Komuna e Prizrenit ka pasur rreth 3700 raste nëpër gjykata. Gjatë kësaj periudhe, katër përfaqësues ligjorë kanë dhënë dorëheqe si pasojë e ngarkesës me lëndë dhe në disa raste edhe të kërcënimeve ndaj zyrtarëve.
Nga korriku i vitit 2018, Arben Krasniqi ka pranuar përgjegjësi në Zyrën e Përfaqësuesit Ligjor dhe ka përfaqsuar komunën në shumë raste, në këtë aspekt në bazë të raportit të viti 2019, zyra ligjore ka ndërmar 2222 veprime lidhur me përfaqsimin ligjor të Komunës së Prizrenit, që I bjen rreth 9 aktivitete në ditë.
Nga mediat u njoftova që kanë filluar hetimet ndaj Arbenit dhe është shqiptuar masa e paraburgimit 30 ditor. Nuk di cilat janë arsyet, por për një zyrtar I cili ka bashkëpunuar me hetuesin dhe çdo ditë ka rreth 5 deri 8 raste të përfaqësimit ligjor nëpër seanca gjyqësore është masë e cila na bën të mendojmë?
Shumë linqime e njollosje pikërisht nga partitë që e kanë katandisur Kosovën dhe e kontrollojnë sistemin… por unë mbes me shpresë për gjyqësor të pavarur dhe që e vërteta të del në shesh sa më shpejtë. /Reporteri.net/.
https://www.facebook.com/mytaher.haskuka/posts/10157824638664451