Sot u nënshkruan 19 marrëveshje mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Pas këtij takimi mes dy qeverive, dy kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Albin Kurti mbajtën konferencë për media, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri Rama pranoi pyetje rreth një deklarate që kishte qarkulluar në medie se ai po punon për ta rrëzuar Albin Kurtin.
Rama u shpreh se Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti nëse del në protestë kundër Qeverisë së tij.
“Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albin Kurtit. Për sa kohë Albini nuk del në protestë kundër qeverisë vet, nuk ka kush e rrëzon, kështu që s’ka lidhje kjo”, tha Rama.
Derisa Kurti u shpreh se deklaratat e insinutata e ndonjërit janë të pakrahasueshme me atë çka kanë arritur në këtë mbledhje të përbashkët.
“Porti i Ri i Durrësit, Porti i thatë i Prishtinës, hekurudha në mes, kjo është çështja më e rëndësishme për Shqipërinë. Dhe unë për këtë çdo ditë do të bëjë fushatë. Kjo është tejet vendimtare për një hov të madh ekonomik të kombit tonë. Prandaj, deklaratat, përshtypjet, insinuatat, intrigat dhe komentet e najkujt janë të pakrahasueshme me atë çka po bëjmë në këto mbledhje të përbashketa”, tha Kurti.
Paraprakisht, Rama tha se e ka një “lajm” për ata që flasim për mosmarrëveshje mes tij dhe Kurtit.
“E kam dhe një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur mes dy qeverive. Me qeverinë aktuale ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën”, tha ai. /Reporteri.net/.