Bekim Kabashi, gazetar dhe drejtor i gazetës online Reporteri.net, e ka dënuar sulmin e sontëm ndaj Valon Sylës.
Kabashi tha se ky është një akt prej diktature, por që fjala e lirë nuk mund të ndalet.
“Ata që dojnë Diktaturë, duke dhunu vlerat e lirisë së fjalës e shprehjes së lirë, duhet ta dinë që Valon Sylën mundeni me vazhdu me e rrehë, por jo edhe me e nal me e thonë lirshëm atë që e mendon edhe beson”, ka shkruar Kabashi në Facebook.
Tutje, ai ka bërë thirrje që organet ligjore t’i arrestojnë sulmuesit e t’ua japin dënimin e merituar.
“Shteti e ka obligim jo vetëm ligjorë, por edhe kushtetues me e mbrojtë lirinë e shprehjes. Andaj, duhet t’i arrestojë sulmuesit, që të marrin dënimin e meritum. Nëse krimi nuk ndëshkohet, ai përsëritet e rritet”.
“Valonit i uroj shërim të shpejtë, e t’i kthehet punës së tij për me i ndihmu kësaj shoqërie me avancu”.
Gazetari Valon Syla orëve të vona të së martës ishte pre e një sulmi nga tre persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Vetë Syla është deklaruar pas sulmit, me ç’rast ka njoftuar se është nën përkujdesjen e mjekëve.
“Jam mirë. Për momentin jam në QKUK. Po ma qepin kokën”, ka deklaruar ai për Kanal10.
Policia del në vendin e ngjarjes ku është sulmuar Valon Syla
Tutje, Syla ka thënë se tre personat që e sulmuan kanë ikur me vrap pas goditjeve ndaj tij.
“Ishin tre persona që më sulmuan. Ikën me vrap pasi më sulmuan duke më goditur në kokë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se gazetari Valon Syla ishte sulmuar edhe njëherë tjetër, pas etiketimit që ua bëri mërgimtarëve. /Reporteri.net/.