Drejtori i Gazetës Online Reporteri.net, Bekim Kabashi, ka bërë me dije se Reporteri.net do të vazhdojë serinë e publikimeve të komunikimeve të brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas atyre që u publikuan sot dhe të premten. Ai ka paralajmëruar se do të publikohet edhe mesazhi që Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, kishte dërguar në grupin e LDK’së në Viber, pas akuzave të ngritura nga anëtarët e Kryesisë për votat me postë të mërgatës.
Kabashi ka thënë se bisedat e reja do të publikohen nesër në Reporteri.net, ku do të shihet komunikimi i Abdixhikut edhe me Avdullah Hotin, por edhe me tjerët që kanë shprehur pakënaqësi.
“Reporteri ka edhe komunikimin e Abdixhikut se si ka komuniku me këta njerëz që kanë shprehë pakënaqësi, që nuk është vetëm një njeri. Është pa ajo. Forma e komunikimit të tij është pa në publik si ka komuniku me z. Hotin por edhe mrena me ata që kanë shpreh shqetësim. Reporteri ka me publiku nesër këtë pjesë edhe ka me u pa ajo si ka komuniku. Nuk është që aty është shu ai problem që është bë goxha i madh”, ka thënë Kabashi në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.
Ndryshe, Reporteri.net sot publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku. Në komunikimet e publikuara sot, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.
Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.
“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.