Drejtori i Gazetës Online ‘Reporteri.net’, Bekim Kabashi në një intervistë për ‘Euronews Albania’, ka thënë se Gjermania është e interesuar për tu arritur koalicioni VV-LDK, pasi i sheh këtë dy parti politike si kundërshtare të idesë se Presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke e komentuar, si gazetar dhe opinionist, vizitën e së mërkurës në Prishtinë të dy zyrtarëve të Angela Merkelit, dhe në përgjithësi inkuadrimin e Gjermanisë në arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje mes VV-së dhe LDK-së, Bekim Kabash e sheh si determinuese për finalizimin me marrëveshje të negociatave mes këtyre dy partive politike.
Kabashi në intervistën për ‘Euronews Albania’ thekson se roli gjerman në këtë negociata rritet edhe për shkak të lidhjeve që LDK-ja e Isa Mustafës ka patur edhe në të kallurën me shtetin gjerman dhe partitë popullore të Gjermanisë, më konkretisht edhe me CDU-në e Angela Merkelit.
“Në këtë rast, roli gjerman, është determinues, sidomos në situatën e ngërçit politik. Duhet pritur që ndikimi gjerman të ketë sukses. Ne kemi parë në të kaluarën që Ambasada Amerikane, por kësaj here është pa nevoja edhe e partnereve gjerman për të ndërhyrë për ta zhbllokuar ketë ngërç”, tha drejtori i “Reporteri.net”.
“Gjermanët i kemi parë duke u kyç në procesin e formimit të institucioneve, edhe për një arsyeje. Kjo qeveri e re që pritet të përbehet prej dy subjekteve politike, VV dhe LDK, janë dy parti politike që kanë ndjekur edhe në opozitë kur kanë qenë, linjën gjermane, sa i përket dialogut me Serbinë. Ne kemi parë që Presidenti Thaçi, në atë kohë, ndoshta edhe me disponim të disa partive tjera që kanë qenë në pushtet, ose ish-partisë së tij PDK-së, kanë hedhur në tavolinë idenë që ka qenë shkëmbimi i territoreve, e cila është kundërshtuar ashpër nga gjermanët. Për dallim nga amerikanët se duket se kanë qenë në linjë me Thaçin”, theksoi Kabashi për ‘Euronews Albania’.
Po ashtu, sipas gazetarit Bekim Kabashi, përveç për faktin për ta penguar ose mos sjellë serish në tavolinë opsionin e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, është interes i Gjermanisë, sikurse edhe i aleateve tjerë të Kosovës, që këto dy parti politike, VV dhe LDK, të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje koalicioni edhe për një arsyeje tjetër.
“Dihet se gjithë ky presion është duke u bërë që Qeveria të krijohet sa më shpejt, dhe që institucionet e Kosovës të rikthehen në tavolinën e dialogut me Serbinë. Tani, për faktin tjetër se në Serbi pritet që në pranverë të ketë zgjedhje, dhe është kërkesa që në Kosovë të bëhen institucionet sa më shpejtë që të mund të zihet hapi dhe të rifillojë dialogu para se Serbia të shkojë në zgjedhje”, tha për ‘Euronews Albania’ Bekim Kabashi, drejtor i Gazetës Online ‘Reporteri.net’.