×
  • Lajme
  • Lajme

    Kabashi për EuroNews: Kurti mund të rezistojë edhe pas vendimit të Kushtetueses dhe të mos e lëshojë zyrën e Kryeministrit

    Reporteri
    15 Maj 2020 | 17:51

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kanë vijuar me akuza ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende mbi ligjshmërinë e dekretit të Thaçit për emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, ky i fundit ka fajësuar Kurtin duke thënë se ka dobësuar raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


    Euronews Albania zhvilloi një bisedë me drejtorin e Gazetës Online ‘Reporteri.net, analistin politik Bekim Kabashin, i cili skanoi lëvizjet e mundshme të palëve politike, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pritet të jepet me 29 maj.

    Ai tha se Presidenti Thaçi i druhet skenarit se Albin Kurti nuk do të pranojë të dalë nga zyra e kryeministrit, pa shkuar vendi në zgjedhje të reja.

    “Teksa afrohet afati për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin, gjuha mes presidentit dhe kryeministrit, që janë në një opozitë të hapur, ka filluar të ashpërsohet. Presidenti Thaçi në këtë rast po ngre shqetësime, që janë edhe probleme të opinionit publik, ku supozohet në fakt se Kurti mund të rezistojë dhe të mos e lëshojë zyrën e kryeministrit, sepse ai insiston që ai të qeveris vendin deri në zgjedhjet e reja”, theksoi gazetari Kabashi.

    Analisti beson se palët e tjera politike do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk jep aspak garanci për Lëvizjen Vetëvendosje. Ai thekson se VV-ja mund të organizojë protesta duke kundërshtuar formimin e qeverisë së re pa zgjedhje.

    “Unë e besoj se të tjerët do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk e di nëse është në krye të tyre, por VV do të jetë në protesta. Mund të ketë përplasje fizike, por kemi dëgjuar një deklaratë të LDK, ku kreu i saj Isa Mustafa ka thënë se nuk do ta nxjerrim Kurtin me dhunë, por ai duhet të lëshojë zyrën”, theksoi ai.

    I pyetur për raportin e qeverisë Kurti në 100 ditët e para, analisti Kabashi dha këtë përgjigje: “Normalisht ishte një raport me plot lëvdata, siç ndodh zakonisht. Ajo që mund të shohim ne në 100 ditëshin e Kurtit, kjo qeveri kishte shumë probleme”, shtoi ai. /EuronewsAlbania/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!