×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kabineti i opozitës për 15 vitet e ardhshme”, shefi i stafit të Konjufcës ironizon me “Qeverinë nën hije” të PDK-së

    Reporteri
    17 Maj 2022 | 19:09

    Ilir Kërçeli, Shef i Kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka reaguar pasi  kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, prezantoi sot “Qeverinë nën hije” të PDK’së.

    Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka ironizuar duke thënë “prezantohet kabineti i opozitës për 15 vitet e ardhshme”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndryshe, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka prezantuar sot “Qeverinë nën hije” të PDK’së.

    Udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë do të jetë vetë Krasniqi.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës.”, ka thënë Krasniqi.

    Kreu i PDK’së tha se “Kabineti për Qeverisje të Mirë do ti ketë 15 Departamente dhe 5 prioritete thelbësore. Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar”.

    Ai deklaroi se këto departamente do të udhëhiqen nga Koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi qytetarëve.

    “Në ditët e ardhshme, unë do të prezentojë këto ekipe, që do përbëhen jo vetëm nga personalitete e zyrtarë nga radhët e PDK-së, por edhe nga ekspertë e kuadro që po bashkohen me ne në këtë projekt të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht vizionin për të ardhmen e Kosovës që duam.”, ka thënë Krasniqi./Reporteri.net

    Memli Krasniqi prezanton “Qeverinë nën hije” të PDK’së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!