Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se PDK ia ka dhënë dy herë postin e kryeministrit partive tjera, siç ka thënë ai me qira, dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këto zgjedhje.
Veseli thotë se parti të cilat sot po flasin për vija të kuqe i kanë bërë ofertë PDK-së që me të si mandatar për kryeministër të vazhdohet mandate aktual qeverisës deri në vitin 2021
Kreu i PDK-së, thotë se nuk ka kompromise, dhe se PDK dy herë e ka dhënë kryeministrin me qira.
“Nuk ka më kryeministër me qira. Nuk ka më manipulime të kauzave qytetare, vetëm si të mbijetohet politikisht. Jeta ime nuk varet prej politikës për asnjë sekond. Jeta ime varet nga nderi, puna dhe kombi im, të cilit i takoj. Nuk varem nga një palë zgjedhje. Nuk mërzitem fare për një palë zgjedhje. Mirëpo mashtrimet, dhe atyre që mendojnë se e mashtrojnë kaq lehtë qytetarin e Kosovës dhe e frikësojnë atë, iu ka ardhur fundi”, ka deklaruar Veseli për Radion Evropa e Lirë, shkruan Reporteri.net.
“Zgjedhjet të pashmangshme”
Veseli më tej ka thënë se partia e tij nuk përkrah një qeveri teknike dhe se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalur nga kriza. Veseli
“Zgjedhjet janë të pashmangshme. E kam thënë nga momenti i parë, janë munduar të manipulojnë në këtë proces, kur e kanë parë tani që ka zgjedhje, hajt të shkojmë me një opsion tjetër. Nuk ka opsion tjetër, ka vetëm zgjedhje të cilat janë vendimtare, janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Kurrë më shumë se sa këto 3-4 vite nuk është përmendur nga parti politike në Kosovë, Serbia të cilën në vitin 1999 e kemi mundur, e kemi larguar nga këtu. Cili është interesi, që përmes frikës nga Serbia të fitohen votat?”, ka thënë ai.
“Ishte legjislaturë e papërgjegjshme”
Ndërsa duke folur për legjislaturën aktuale të Kuvendit, Veseli ka deklaruar se nuk ishte legjislaturë dembele, ishte legjislaturë e papërgjegjshme.
“Të jem shumë i drejtpërdrejtë, kur një opozitë, e cila mendon vetëm si ta fitojë pushtetin… imagjinoni tash, për dy vjet kanë thënë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme ndërsa mbrëmë e keni qëndrimin se ‘eja të bëjmë qeveri tash’. Ku është morali politik këtu?”, ka pohuar ai.
Lidhur me atë se kush duhet t’i udhëheq bisedimet me Serbinë, kryeministri apo presidenti, Veseli thotë se duhet t’i drejtoi ai që e fiton mandatin e qytetarëve në zgjedhje të cilat dalin edhe të mos behët frikacak edhe mos të kalkuloj për interesa te veta.
“Do ta ndali korrupsionin”
Ndërsa duke foliur për korrupsionin dhe nepotizmin, Veseli thotë se gabimet të cilat i ka bërë PDK-ja është duke i sanuar.
“Ne në PDK flasim hapur për këto çështje, disa zëra mund të jenë kundër, unë nuk mërzitem fare. Por, partitë e tjera nuk kanë guxim t’i flasin këto edhe kanë për t’i vazhduar edhe më rëndë. Ato i flasin në mënyrë të hapur edhe duke akuzuar PDK-në. Jo, jo, shikoni LDK-në, gjysmën e zyrtarëve i ka komunalë dhe të kryesisë së partisë me aktakuza për korrupsion. Shikoni Vetëvendosjen se çka ka bërë dhe çka është duke bërë në Prizren dhe shikoni edhe kur ka qenë në Prishtinë si për korrupsion dhe për punësime e nepotizëm. Kjo është një sëmundje ngjitëse e cila duhet të ndalet në Kosovë. Nuk po flas për AAK-në fare dhe nuk po flas as për partitë e tjera fare. Pra, ky është një fenomen mashtrues që duhet të ndalet dhe do ta ndali”, ka pohaur ai.
Kurse i pyetur se ftesat nga Gjykata Speciale a do të kenë ndikim në mënyrën se si do të duket qeveria e ardhshme, Veseli thotë se kurrfarë ndikimi në Kosovë nuk ka për të pasur asnjë gjykatë, sepse gjykatat kanë për ta kryer pune e vet.
“Ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, kauza e kombëtare e Kosovës ka për të ecur përpara nuk ka pengesa dhe s’mund të ndalet. Por, duhet të ballafaqohemi edhe me ato pretendime të cilat kanë tentuar ta dëmtojnë shtetin e Kosovës. Jam shumë i sigurt se të gjithë luftëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë dhe do të dalin të pafajshëm. Nuk ka pasur luftë më të pastër, më të drejtë, më parimore, në një organizatë luftarake siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thotë Veseli. /Reporteri.net/.