×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Kaosi urban në Gjakovë, banesa ndërtohet ngjitur me shtëpinë e kojshisë

    Reporteri
    07 Prill 2025 | 19:55

    Mërgimtarit Sejfidin Hasani, i cili qe 35 vite jeton e punon në Zvicër, i kanë dalë telashe me shtëpinë e tij në Kosovë, në të cilën ka investuar përgjatë gjithë këtyre viteve. Një objekt banesor, atij po i ndërtohet ngjitur me shtëpinë e tij.

    Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka qëndruar në Gjakovë, ku ka parë prej afër gjendjen dhe ka biseduar me të gjitha palët e përfshira në këtë rast. Hasani thotë së ndërtimi i këtij objekti ngjitur me shtëpinë e tij ia cënon privatësinë, por edhe se ia rrezikon jetën atij dhe familjarëve të tij.

    “Ky është objekti jem. Qe 35 vjet jam në Zvicër edhe kam investu këtu. Tash kam problem me këta ndërtuesit, ma kanë cënu privatësinë, jam në rrezik për jetë. S’kam kurfarë sigurie. Këta po thonë ne kemi të drejtë”, thotë Hasani.

    Ai tregon se disa herë ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Policisë e Inspektoratit.

    “Disa herë kam ardh prej Zvicrës me ba marrëveshje me këta, por këta s’kanë dasht me ba marrëveshje. Policia për nja 5-6 herë u kanë, vijnë marrin shënime dhe nuk reagon kërkush hic. Herën e fundit dje i kom pas….Pasdite janë kanë dy inspektorë, i thanë këtij ndërtuesit që je tu ba vepër penale. Ky ndërtuesi tha jo unë kom me dalë edhe 1 metër jashtë me skele. Është rrezik me ra naj tullë a dicka. Rrezik o për krejt jetën”, ka deklaruar Hasani.

    Ngadhnjim Lajçi, përfaqësuesi me autorizim nga “Lajçi Shala”, thotë se më këtë veprim cenohet Ligji.

    Ai ka folur edhe për veprimet që kanë ndërmarrë. Ai ka treguar se në një takim që kanë pasur me Drejtorinë e Urbanizimit, u është pranuar se ka problem në këtë çështje.

    “Në një takim na u ka pranu që ka probleme edhe është thirr arkitektja e ndërtuesit që ka thënë se duhet me u ndalë punimet”, ka deklaruar Lajçi.

    Rasti ka përfunduar në Gjykatë tashmë, mirëpo ende pa ndonjë vendim.

    “Kemi vazhdu me Gjykatën e Gjakovës ku kemi tentu që kundër ndërtuesit të vendosim masë për me ndalu ndërtimin, ende jemi të pasuksesshëm në atë aspect”, ka thënë Lajçi.

    Nga Gjykata kanë deklaruar se tashmë kanë pranuar ekspertizën e gjeodezisë, por jo edhe atë nga eksperti i ndërtimtarisë, gjë që po e zvarrit procedimin e çështjes.

    “Në mungesë të kësaj ekspertize, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme për të vazhduar më tutje me shqyrtimin e masës së sigurisë për ndalimin e punimeve. Gjykata është në pritje të dorëzimit dhe pranimit të ekspertizës nga eksperti i ndërtimtarisë. Sapo kjo të ndodhë, lënda do të procedohet më tej në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Për këtë arsye, deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar mbi caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

    Ndërkohë, nga kompania ndërtuse, “Letaj Bau SH.P.K”, thonë se ata janë në rregull me Ligjin.

    “Na jemi me leje me krejt, Komuna e ka parapa këtë. Kurgjë jashtë lejes s’kemi. Me gjithçka jemi në rregull”, kanë deklaruar nga kjo kompani.

    Për çështjen ka folur edhe Inxhinieri i Komunës së Gjakovës, Agron Gojani. Sipas tij, në kohën kur është ekspozuar njoftimi publik, ata s’kanë pranuar asnjë ankesë.

    “Është në kontest gjyqësor dhe jemi t’u prit përgjigje. Inspektorat duhet me kqyr a ka drejtë a jo. Ligjërisht ka qenë në rregull procedura. Ka qenë i ekspozum njoftimi publik dhe në atë afat ka pas kohë zotnia me u anku.  Me Ligj është e parapame me e ba propozimin e kushteve, të cilën e ka ba kojshia. Ne e kemi ba njoftimin publik edhe kemi prit a ka ankesa, s’ka pas ankesa edhe e kemi lëshu kushtet e ndërtimit”, ka deklaruar ai.

    Në bisedën me Gojanin, Hasani ka drejtuar akuza se “kjo leje është e korruptume”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!