Dogana e Kosovës në bashkëpunim me policinë kufitare ka parandaluar një rast të tentimit për të futur mallra të padeklaruara në vendin tonë.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 27 qershor në pikën kufitare të Bërnjakut, rreth orës 21:20, gjatë hyrjes së një automjeti.
“Pas deklarimit negativ të udhëtarit për mallra për të cilat kërkohet deklarim doganor, automjeti është selektuar për kontroll në vijën e dytë. Gjatë kontrollit të detajuar, në pjesën e kutive të ulëseve dhe nën tapetat e automjetit janë gjetur mallra të padeklaruara – konkretisht insekticide me origjinë nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Mallrat e sekuestruara janë si vijon:
Tonus 2.5gr 300 cope
Alverde 5ml 200 cope
Apioxal Strips 17 cope
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se importi i mallrave të tilla i nënshtrohet kontrollit dhe lejeve specifike dhe mosdeklarimi i tyre përbën shkelje ligjore. Veprimet ndaj kësaj shkeljeje janë ndërmarrë në përputhje me ligjin në fuqi.