Autor: Blendi Gashi
Fshati Karaçevë e Poshtme i Kamenicës ka shprehur shqetësimin ndaj qasjes së kryetarit të kësaj komune, Qëndron Kastrati, për mbylljen e shkollës së fshatit, por dhe mbylljen e 18 shkollave të tjera.
Banorët e kësaj komune të shqetësuar me veprimin në fjalë, i kanë shkruar letër krerëve të shtetit, presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj, kryekuvendarit Veseli dhe grupeve paralamentare të LDK-së, VV-së, PDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe PSD-së, duke kërkuar prej tyre most ë lejojnë mbylljen e shkollave.
Këtë letër kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, Selver Lenjani ja ka dërguar krerëve të shtetit me datë 10 korrik.
Reporteri.net ka kontaktuar me Lenjanin për të kuptuar nëse ka marrë përgjigje nga ndonjë prej krerëve të shtetit apo grupet parlamentare.
“Asnjëri nuk më ka kthyer përgjigje”, ka deklaruar Lenjani për Reporteri.net.
Ai megjithatë shpreson se ditët në vijim krerët institucional do t’i përgjigjen, dhe siç thotë ta ndalojnë kryetarin e komunës që t’i mbyllë shkollat.
“Porosia e ime për liderët e shtetit është që t’i kthehen Karaçevës, ta mbajnë popullatën, nxënësit dhe të mos lejojnë mbylljen e shkollave. Qëndron Kastrati po na kthen në kohën e Millosheviqit”, thotë ai.
Lenjani thotë se nuk ka asgjë më shqetësuese se të mbyllet shkolla e një fshati brez kufirit me Serbinë.
“Nuk ka më prekëse dhe shqetësuese si me mbyll shkollën me 100 nxënës në Karaçevë që mban emrin e dӕshmorit Asllan Thaçi. Komplet stafi arsimor është i kualifikuar, të gjitha kushtet i plotëson”, thotë ai.
Lenjani thotë se me këtë vendim komuna po i bën favore Serbisë.
“Po ja përgatitë terrenin Serbisë eja, dhe zbraze fshatin Karaçevë”, thotë ai, shkruan Reporteri.net.
Lenjani më tej thotë se si fshat në brezin kufitar kanë kaluar shumë vështirësi gjatë kohës së okupimit serb dhe do ta tejkalojnë edhe këtë.
“Kemi tejkalu shumë vështirësi si fhsat. Do ta tejkalojmë edhe këtë. Nuk lëshojmë pe, pavarësisht vendimit që merr Qëndron Kastrati, shkolla është e nxënësve dhe e gjithë fshatit. Kemi me protestuar para komunës, kemi me ja lyp dorëheqjen kryetarit të komunës Qëndron Kastrati dhe ministrit të arsimit Shyqyri Bytyqi. Me 2 shtator kur fillon mësimi kemi me qëndruar në shkollë me nxënësit. Nuk munden me mbyllë shkollën tone, nuk e lejojmë”, thot”, thotë Lenjani. /Reporteri.net/.
Shkolla “Asllan Thaçi” – Karaçevë e Poshtme – është ndër shkollat që po synohet të mbyllet nga kryetari i Kamenicës.