×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Kartelat për të punësuarit në KEK, Çitaku-Kurtit: Mjerim i promovuar si arritje, ky pushtet e do qytetarin e nënshtruar

    Reporteri
    07 Janar 2025 | 10:57

    Ditën e djeshme, Kryeministri Albin Kurti ishte i pranishëm bashkë me Ministren Artane Rizvanolli në ceremoninë e nënshkrimit të 220 kontratave të punëtorëve të rinj në KEK, në Termocentralin Kosova B. Krejt në fund të kësaj ceremonie, Kurti shpërndau disa “kartela” për punëtorët e rinj në Divizionin e Qymyrit. Lidhur me këtë ka reaguar Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku e cila ka thënë se kjo është veçse një “farsë e mjerë”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, Çitaku e PDK-së thotë se ky është mjerim i promovuar si arritje.

    “Lëvizja VV dhe A.K. – Mjerim i Promovuar si Arritje Lëvizja VV dhe A.K. paskan organizuar një ceremoni publike, me synimin e promovimit të punësimit të disa punëtorëve të rinj në Korporatën e Martinit dhe Nagipit. Kjo përpjekje për vetëlavdërim nuk është gjë tjetër veçse një farsë e mjerë”, shkruan Çitaku në Facebook.

    Sipas saj, “është ironike që pikërisht VV-ja dhe Albin Kurti që kanë sabotuar çdo projekt zhvillimor në fushën e energjetikës, po tentojnë të promovojnë një “arritje” të tillë.”

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së thotë se ajo që don ky pushtet është të jetë qytetari i dorëzuar e i nënshtruar, e që pranon lëmoshën si sukses.

    “Të nejtit kanë luftuar ashpër, dhe jo rrallë edhe dhunshëm, kundër projekteve që do të siguronin pavarësinë energjetike të Kosovës, duke filluar nga Kosova e Re, e deri tek gazsjellësi i sponzorizuar nga SHBA-të. Projekte që, po të ishin realizuar, sot do të garantonin siguri energjetike dhe çmime më të ulëta të energjisë për të gjitha familjet e Kosovës”, shkruan mes tjerash Çitaku.

    “Mos realizimi i këtyre projekteve, e ka bërë Kosovën të varur nga pazaret e matrapazëve si Nagipi e Martin. Ajo që don kjo kastë udhëheqëse është qytetarin e dorëzuar e të nënshtruar, që pranon lëmoshën si sukses. Kosova nuk dorëzohet. Kosova meriton dhe mundet shumë më mirë”, ka shkruar ajo në Facebook.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!