Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin e Pagave. Kështu kanë bërë të ditur nga Presidenca gjatë ditës së djeshme.
“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka deklaruar për Reporteri.net, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Zyrës së Presidentit.
Ndonëse Qeveria nuk ka treguar ende vlerën e një koeficienti, nga Ligji i pagave do të përfitojnë arsimtarët, mjekët, zjarrfikësit, policët dhe shërbyesit civil.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë më 22 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji i cili pati nxitur reagime për muaj me radhë, mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, ku pro tij votuan 63 deputetë, ndërsa vota kundër nuk kishte pasur, por një abstenim nga Kryeparlamentari Konjufca.
Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.
Ky ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.