×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër vite nga luftimet e përgjakshme në Kumanovë

    Reporteri
    09 Maj 2019 | 9:27

    Krisma armësh, frikë, ankth, paqartësi. Kështu u zgjuan qytetarët e Kumanovës para katër viteve, më 9 maj të vitit 2015. Ngjarja ndodhi pikërisht tek Lagjja e Trimave, por trishtimi nga kjo ngjarje përfshiu gjithë territorin e shtetit, pasi nuk dihej saktë nëse nga luftimet e ashpra mes policisë dhe grupit, ka mbetur i vrarë edhe ndonjë civil.


    Kjo lagje mbeti e bllokuar për dy ditë, më 9 dhe 10 maj, por shumëçka mbetet e paqartë edhe pas 4 vitesh. Nga kjo përleshje me armë humbën jetën 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 nga grupi i armatosur. U plagosën 37 pjesëtarë të policisë dhe u shkatërruan mbi 25 shtëpi. Për rastin e Kumanovës u arrestuan dhe gjykuan 37 persona. Procesi gjyqësorë zgjati dy vjet dhe prej 37 të akuzuarve për terrorizëm, vetëm katër persona u liruan nga akuza.

    Ky proces gjyqësor ka qenë më i shtrenjti në Maqedoni, pasi policia për t’i sjellë të akuzuarit në gjykatë ka përdorur sigurim tepër të lartë, duke përfshirë edhe helikopterët. Megjithatë, edhe pas katër vjetësh enigma ka mbetur. Nuk u tregua si grupi ka hyrë pa u vërejtur në Maqedoni dhe përse policia nuk e ka ndalur grupin kur ka patur mundësi, pasi publikisht u tregua se grupi ka qenë nën masa të veçanta hetimi gjatë tërë kohës. Lënda për këtë rast aktualisht ndodhet tek Gjykata Supreme.

    Një nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës i njohur si Nasuf Beqiri-Kaçaku me rastin e përvjetorit të ngjarjeve të Lagjes së Trimave në Kumanovë ka shkruar një mesazh në profilin e tij në facebook.

    “Më 9- maj 2015 kemi luftuar kundër makinerisë ushtarako-policore sllavo maqedonase në Kumanovë. Edhe pse ishte një kurth i kurdisur në bashkëpunim me spiunat shqipfolës të shërbimit maqedonas ne kemi luftuar 12 or pa pushim.

    Disa prej shokëve ranë dëshmor shumë u burgosëm në një burg të padrejtë pas një procesi politik të montuar. Më 9 maj 2019 do të protestohet në Shkup e gjetiu në trojet shqiptare për lirimin tonë nga burgu i padrejtë e për zbardhjen e plotë të rastit.

    Si bir i Haraçinës po i ftoj edhe shqiptarët e këtij vendbanimi ti bashkangjitet protestës për lirimin tonë. LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT! LAVDI UÇK-SË!”, ka shkruar Nasuf Beqiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!