×
  • Lajme
  • Lajme / 5 nëntori 2020

    Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    05 Nëntor 2024 | 9:09

    Sot janë bërë katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë – qyteti holandez ku Gjykata Speciale e ka selinë – që prej nëntorit të vitit 2020.

    Thaçi, Veseli, Selimi dhe Jakupi po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduar lufte, të cilat supozohen se janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

    Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

    Po më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ndërsa Krasniqi u transferua një ditë më parë, më 4 nëntor. Ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi më 3 prill 2023.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi para trupit gjykues u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilën i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar e që lidhen me krime lufte.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!