×
  • Lajme
  • Lajme / Kryeqyteti

    Katrahura me bërllokun në Prishtinë, Kryeshefi i “Pastrimit” e Drejtori Brestovci përballen për borxhin: “2.7 milionë”, “as 1 euro”

    Reporteri
    19 Maj 2025 | 21:33

    Ndërprerja e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet, ka shkaktuar një gjendje alarmante tash e sa ditë. Ndërmarrja “Pastrimi” ka ndërprerë shërbimet, me arsyetimin se Komuna i ka borxh 2.7 milionë euro dhe se nuk po ia jep këto para, e si pasojë nuk po mund të furnizohen as me naftë.

    Për situatën e krijuar sonte janë përballur Kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica dhe Drejtori i Shërbimeve në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.

    Reçica tha se ndërmarrja s’ka para dhe se s’mund të operojë, teksa thirrjen për pagesat e faturave të mbeturinave në komunë cilësoi si të jashtëligjshme, shkruan Reporteri.net.

    “Kompania s’ka pare, s’ka inkasim. Në të njëjtën kohë, komuna e ka bërë një thirrje të jashtëligjshme, pra në të njëjtën kohë i fton të paguajnë në komunë, derisa vetë nuk e paguan “Pastrimin” për shërbimet. Pesë muaj fiks…Mbi 2.7 milionë euro është kostoja”, ka deklaruar Reçica.

    Ndërkohë, Brestovci tha se ndërmarrja ka bojkotuar punën. Ai tha se komuna s’i ka asnjë cent borxh kësaj ndërmarrje.

    Sa i përket ndryshimit të rregullores, Brestovci deklaroi se i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas tij, kishte të bënte me shkelje ligjore dhe të konkurrencës.

    “Komuna e Prishtinës nuk i ka as 1 euro borxh ndërrmarjes “Pastrimi. Nuk ka borxhli nëse nuk ka një marrëdhënie kontraktuale mes dy palëve, në këtë rast komunës dhe ndërrmarres. Është e vërtetë që kemi pas ndryshim të rregullores, që të drejtën e inkasimit ia bartë ndërmarrjes “Pastrimi” . Ne e kemi konsideru se është bërë shkelje procedurale gjatë procesit të ndryshimit të rregullores. Ne e kemi konsideru se kemi të bëjmë edhe me shkelje ligjore dhe shkelje të konkurrencës, meqë nuk ka mundësi që me një akt nënligjor i cili është në kundërshtim me ligjet të monopolizohet një sektor kaq të rëndësishëm.Këtë e kemi adresu në Gjykatën Kushtetuse….një vendim konsiderohet si i pezulluar”, deklaroi Brestovci.

    Brestovci tha se mjetet që kanë inkasuar nga qytetarët janë rreth 340 mijë euro dhe se në rast se Kushtetuesja vendos në favor të “Pastrimit”, ato mjete do t’u disbursohen.

    “Këta nuk kanë kontratë me neve….janë 340 mijë euro janar-maj që janë paguar në Komunë dhe ne kemi thënë që në çdo kohë kur kemi vendim të Gjykatës, nëse është në favor të tyre, do i rimbursojmë….Kushtëzimet e ndërmarrjes kanë qenë të asaj natyre që s’kemi arritur të arrijmë marrëveshje”, deklaroi Brestovci në T7.

    Prokuroria ka autorizuar sot Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos grumbullimit të tyre.

    Në njoftim thuhet se Prokurori ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos grumbullimit të tyre. Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar ndaj situatës alarmante të mbeturinave urbane në Prishtinë, duke theksuar rrezikun e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit për shëndetin e qytetarëve.

    Sipas Institutit, kontejnerët e mbushur tej mase dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave kanë krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e baktereve dhe parazitëve, duke rritur rrezikun për sëmundje të tilla si dizenteria, hepatiti A dhe kolera.

    Një protestë është zhvilluar sot nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”.

    “Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lë të punojmë” kanë qenë disa nga pankartat që punëtorët kanë mbajtur në duar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!