×
  • Lajme
  • Lajme

    KDI kundër rrëzimit të Qeverisë: E padobishme në kohën e coronavirus, prodhon pasiguri

    Reporteri
    20 Mars 2020 | 11:01

    Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se inicimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë në kohën kur vendi po përballet me coronavirusin, është e padobishme.


    Sipas tyre, kjo shkakton pasiguri tek qytetarët por edhe krijon vacuum institucional në kohën kur Kosovës i duhen më së shumti institucionet, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tyre, Kosova i ka kaluar periudhat kur janë nevojitur qeveri teknike ose të unitetit dhe, krijimi i një të tille në këtë kohë, për KDI tregon një jostabilitet politik.

    Reagimi i plotë i KDI:

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, në lidhje me inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nga subjekti politik LDK. Ndonëse KDI njeh të drejtën kushtetuese të subjekteve politike parlamentare për inicimin e këtij mocioni si formë e kundërshtimit të punës së ekzekutivit, vlerëson që një iniciativë e tillë, e ndërmarrë mbi të gjitha në një periudhë të ballafaqimit me shpërndarjen e virusit COVID-19, është e padobishme.

    Rikujtojmë se Qeveria e re e Kosovës e formuar vetëm 45 ditë më parë pas një periudhe disa-mujore kur është qeverisur nga një qeveri në dorëheqje dhe futja në cikël të ri të krizës institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social, në prolongimin e reformave për sundim të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian. E gjithë pa dyshim do t’a dobësojë pozicionin politik të shtetit në rrafshin ndërkombëtar, do t’a polarizojë edhe më tepër skenën politike dhe do të prodhojë zhgënjim e destabilitet shoqëror.

    KDI beson që Kosova tashmë i ka kaluar situatat kur vendit i janë dashur qeveri teknike apo ato të unitetit, veçanërisht në periudhën para shpalljes së pavarësisë. Qeveritë teknike apo të unitetit janë kryesisht karakteristikë e shteteve pa stabilitet institucional dhe polarizim të skajshëm politik. Prandaj, KDI vlerëson se krijimi i një qeverie të tillë do të ishte deformim i vullnetit të shprehur të qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, si dhe do të prodhonte institucione të reja pa legjitimitet qytetar.

    Përderisa vendi është duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, gjendja e krijuar në skenën politike ngjallë pasiguri tek qytetarët dhe situatat e krizave të tilla nuk duhet të përdoren për interesa politike. Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave kushtetuese për formimin e një qeverie të re do të linte vendin pa institucione në periudhën kur ato vendit i duhen më së shumti.

    Qytetarët e vendit, më shumë se kurrë më parë presin nga liderët politikë të tregojnë guxim dhe maturi dhe përmes veprimeve të përgjegjshme të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për tejkalimin e kësaj situate të rëndë jo vetëm për Kosovën por për gjithë njerëzimin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!